Në Bruksel pak para orës 20:00 te dites se merkure ka përfunduar dita e parë e bisedimeve në kuadër të raundit të ri të dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Tema kryesore e bisedimeve në nivel ekspertësh ka qenë implementimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë, respektivisht përdorimi i targave të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë, transmeton lajmi.net.
Kosova kërkon që targat RKS, sikur për serbët nga Kosova ashtu edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës të përdorën pa problem në territorin e Serbisë dhe për transit përmes Serbisë.
Deri me tash pala serbe ka kundërshtuar një gjë të tillë, me arsyetimin se “kjo nuk është në pajtim me Kushtetutën e Serbis”.
Me të përfunduar raundi i parë, nga tri ditë të planifikuar të bisedimeve në Bruksel, pjesëmarrësit e dialogut nuk kanë folur për media lidhur me detajet e takimit.
Pritet që dialogu teknik të vazhdojë nesër në ndërtesën e Shërbimit Diplomatik Evropian, kurse tema të bisedimeve do të jenë kadastri, pranimi i diplomave dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Ditën e fundit të bisedimeve, të premten, delegacionet kosovare dhe serbe, me ndërmjetësim të BE-së, do të bisedojnë për rikufizimin ndërmjet pjesës jugore dhe asaj veriore të Mitrovicës.
Delegacioni kosovar udhëhiqet nga ministrja për dialog, Edita Tahiri, kurse Marko Gjuriq kryeson delegacionin serb. (b.an)