Ditën kur Hillary Clinton u pyet nga një vajzë e re amerikane nëse ajo do të kishte të njëjtën pagë me një president të gjinisë mashkullore, u kuptua qartë se barazia gjinore është një betejë e papërfunduar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hillary qeshi me të madhe kur dëgjoi pyetjen dhe e siguroi të renë se rroga e atij që banon në Shtëpinë e Bardhë nuk ndryshon në varësi të gjinisë.
Por ky pohim është vetëm një pjesë e realitetit paragjykues me të cilin përballet një grua në raport me rivalët burra. Pavarësisht mbështetjes që mori nga demokratët, ish sekretarja amerikane e shtetit dhe bashkëshortja e Bill Clinton duket se nuk po bind mjaftueshëm amerikanët, madje edhe pjesëtaret gra të shoqërisë për të qenë një pretendente e padiskutueshme për zgjedhjet presidenciale të 8 Nëntorit.
Arsyet mund të jenë të shumta, që nga fakti që I përket të ashtëquajtrës “rracë” politike apo “establishment”, ndaj të cilëve amerikanët po shfaqin hapur irritim dhe refuzim e deri tek pakujdesia në përdorimin e emaileve kur ishte në krye të departamentit të shtetit. Përpëlitja për të ruajtur pozicion kryesues në sondazhe dëshmon vështirësitë me të cilat po ndeshet kandidatja e parë grua për Presidente të SHBA, edhe në kushtet kur rivali I saj është një figurë që ngjall sa habi aq edhe trishtim në radhët e republikanëve apo dhe amerikanëve të paangazhuar politikisht.
Fakti që amerikanët kanë arritur deri në pikën ku një biznesmen me një karakter dhe deklarata shokuese të shndërrohet në kandidatin e emëruar për të garuar për postin e Presidentit, tregon shumë për dëshpërimin dhe zemëratën ku përfaqësuesit e “estamblishment-it” e kanë cuar ëndrrën amerikane, aq shumë të adhuruar përtej oqeanit, në vende ku demokracitë nuk prodhojnë mirëqenie për të gjithë qytetarët dhe ku milionerët nuk dalin biznesi por nga zyrat e shtetit.
Një sondazh I orëve të fundit I organizuar nga CNN/ORC e nxjerr Donald Trump në këtë pikë të fushatës 2 pikë përara kandidates demokrate, në nivelet e 45% me 43% për Hillary Clinton, e cila kryesonte me 8 pikë në përfundim të konventës së demokratëve. Sipas të pyeturve ndikim pritet të kenë dhe 3 debatet presidenciale që fillojnë prej 26 Shtatorit për të vendosur përfundimisht fituesin.
Gratë (53% me 38%) dhe të rinjtë sipas sondazhit mbështetin Hillary Clinton ndërsa burrat anojnë nga Trump (54% me 32) dhe ndër gratë ato që janë të pamartuara përbëjnë shumicën dërrmuese me 73% në favor të Hillary, krahasuar me 36% që kanë status martesor. Një ndarje e tillë e gjendjes civile nuk ekziston ndër meshkujt që favorizojnë Donald Trump. Pavarësisht se të dy kandidatët mbeten më pak të preferuarit për votuesit amerikanë, Hillary duket se e ka më të lehtë rikthimin në shtëpinë që dikur ndau me Bill Clinton.
Ditën kur SHBA do të ketë një grua presidente, beteja për barazinë gjinore në rang global do të hyjë në fazë të re, më pak artificiale dhe më shumë e vërtetë. Shqiptarët kanë me qindra arsye të ngazëllehen me fitoren e mundshme të Hillary si një mbështetëse e pakursyer e interesave shqiptare në rajon. Ndërsa gratë, në Amerikë, në botë a në Shqipëri, duhet të frymëzohen për të synuar zyrën presidenciale. Pas Kroacisë një grua tjetër presidente në Ballkan, do të ishte një e drejtë e mohuar për më shumë se dy dekada për shkak të makinacioneve dhe llogarive politike që kanë promovuar më së shumti burrat.(Javanews)
Posaçërisht për Javanews