Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka deklaruar se koalicioni funksion dhe është në punë. I ftuar në emisionin “45 minuta” në Report TV, Vasili ka deklaruar se në përmbyllje të reformave do të ulemi dhe të diskutojmë që të nxjerrim konkluzione për të ardhmen e koalicionit.
“Kemi një vit impenjativ përpara, nuk është koha e duhur për të folur për koalicionin. Kemi përpara aplikimin e reformës në drejtësi. Kërkohet një shtyse e re e ekonomisë.
Rëndësi ka ku do jetë Shqipëria në 2017 dhe jo ku do të jetë koalicioni. Në përmbyllje të reformave do të ulemi dhe të diskutojme që të nxjerrim konkluzione për të ardhmen e koalicionit”, deklaroi Vasili.
Per Petrit Vasilin nuk ka një datë të fiksuar se kur do të nisin bisedimet për të ardhmen e koalicionit PS-LSI.
“Reforma në drejtësi dhe reforma territoriale, janë reforma të mëdha të këtij koalicioni, i cili ka qenë promotor i këtyre reformave”, ka deklaruar Vasili
I pyetur nëse ky koalicion është më i miri në këto 25 vite , Vasili thotë se “E vërteta absolute nuk ekziston as në shkencë”.
I pyetur për çështjen e presidentit të ri, nënkryetari i LSI thotë se në marrëveshjen e Shkodrës mes PS dhe LSI nuk përmendet kjo çështje.
Vasili thekson se marrëvëshja është për të qeverisur vendin dhe presidenca nuk është qeverisja e vendit duke konfirmuar se aktualisht zgjedhja e kreut të ri të shtetit nuk është në axhendën e dy partive.
Vasili ka folur edhe për reformën zgjedhore ku theksoi se nuk kemi të bëjmë me një reformë, por me një ligj zgjedhor që do rishikohet sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR.
Për Vasilin kemi të bëjmë më një proces më të lehtë dhe nuk mund të krahasohet më reformën në drejtësi që është shumë më e rëndësishmë./a.k