Punonjësit e policisë nuk e kanë marrë të plotë pagën e muajit gusht. Burime për ‘News24’ nga policia thanë se secili efektiv ka marrë 8 deri në 20 mijë lekë të reja më pak nga paga mujore. Kjo shumë iu është mbajtur me argumentin se paratë e paguara më herët për orët shtesë nuk ishin tatuar dhe ky tatim iu është llogaritur në pagën e muajit gusht.
Në një hark prej 3-4 muajsh efektivët e policisë që punojnë më shumë se orët e lejuara marrin pagën për orët suplementare në shërbim, pagesë, e cila varion rreth 10 mijë lekë shtesë mbi rrogën mujore. Për vitin 2015 Policia e Shtetit ka marrë nga buxheti një fond rreth 220 milionë lekë për orët suplementare të punonjësve të saj. Afërsisht e njëjta shifër ishte parashikuar edhe për këtë vit.
Ky problem ndodh pikërisht në muajin kur ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha pas vrasjes së policit të FNSH Ardian Kodra se do t’i kërkojë kryeministrit Edi Rama rritjen e pagës së policëve./a.m.