Ne një intervistë me vëllain e David Qoses, vrasësin e policit të FSHN-së, ai tregon gjendjen e të vëllait, dhimbjen e tij për vrasjen e policit, ngushëlloi familjen e efektivit të policisë dhe tregoi frikën e tij nga gjakmarrja. Prele Qose jeton prej vitesh jashtë dhe thotë se nuk e di nëse në Shqipëri vazhdon ende gjakmarrja, por ka frikë. Gjithashtu Prele Qose, foli edhe për “Dritare me Rudina Xhungën”, në lidhje me Skype, por pa treguar fytyrën, pasi kishte frikë për rrezikun që mund t’i kanoset atij dhe familjes nga ligjet e vjetra të Kanunit.
Si është gjendja në familjen tuaj, pas ngjarjes në Torovicë, ku vëllai juaj vrau një polic?
Jemi të shkatërruar si familje, po e përjetojmë këtë ngjarje sikur të ndodhte në familjen tonë. Jemi shumë të mërzitur, na vjen keq për këtë tragjedi, por ja që ndodhi dhe nuk kemi çfarë të bëjmë.
Si është nëna juaj, pas kësaj ngjarjeje? Si e përjetoi ajo?
Nëna nuk e di çfarë ka ndodhur e çfarë ka bërë djali i saj. Ajo është e sëmurë e ne nuk i kemi thënë se çfarë bëri Davidi. Mundohemi ta mbajmë sa më larg lajmeve që të mos e marrë vesh ngjarjen. Kemi hall se nuk do e përballojë dot, e pëson infarkt. Do të ishte një vdekje e dytë për ne. Ajo ka kërkuar shpesh që të flasë me Davidin në telefon, por e mbajmë larg.
Vëllai juaj ishte i sëmurë dhe ju keni tentuar ta çoni në spital. Nuk e bindët dot ta çonit për t’u vizituar?
Më vjen shumë keq, pasi tentova disa herë. Madje edhe motra ime që jeton në Shqipëri tentoi ta çonte tek një psikiatër në Lezhë, por ai e refuzonte, thoshte se ishte mirë e nuk kishte nevojë. Me zor dhe pa dëshirën e tij nuk mund të bënim gjë pasi ishte në një moshë madhore. Ishte pothuajse e pamundur për ta çuar te psikiatri, nuk ishte fëmijë e ta menaxhoje situatën. Ai shkatërroi veten, jetën e tij, shkatërroi gjithçka me vrasjen e policit.
Çfarë ndodhi me Davidin? Si arriti në këtë gjendje?
Simptomat e para filluan para 5 vjetësh me vdekjen e babait. Kjo gjendje u rëndua shumë para 3 vjetësh kur vdiq vëllai me një mjet bujqësor para shtëpisë. Që pas vdekjes së tij, Davidi mbaroi si njeri. Ai vdiq si person, nuk jepte siguri për asnjë lloj gjëje. Ka parë gjithë ato vdekje me sy. Ne mendonim se mund t’i vinte flakën vetes ose mund të digjte shtëpinë, siç tentoi. Nuk mbante veten, nuk lahej, nuk pastrohej, kishte lënë mjekër, e kishte humbur sensin e realitetit. Ndodhte shpesh që shihte haluçinacione, gjëra që nuk ishin, gjëra të paqena që mendja jonë nuk i koncepton. Kishte frikë nga mali. Madje edhe dëshmia e tij në polici ishte që po më qëllonte dikush nga mali.
Çfarë doni t’i thoni familjes së policit të vrarë?
Më vjen keq për atë familje, nuk e kam njohur e nuk kemi pasur ndonjëherë kontakte. Ai ka qenë prej Shkodre e ne jetonim në Lezhë. Kemi qenë familje punëtore, e urtë, nuk i kemi rënë asnjë njeriu në qafë, kemi qenë në punën tonë.
Unë kam çuar një person te familja e policit, por nuk e kanë pranuar. E kanë përzënë, as për kafe e as për ngushëllim nuk e kanë lejuar. E kam çuar në emrin tim, pasi vëllai është i çmendur, ai nuk ka ditur çfarë ka bërë e as tani nuk e kupton atë që bëri.
Por unë kam frikë nga kjo që ndodhi, pasi në Shqipëri ekzistojnë ende disa rregulla të vjetra. Kam frikë se mos kërkojnë të hakmerren, kam frikë për veten e familjen.
Unë jam shumë i paqartë më atë që ndodhi, i vetmi kontakt që kemi dhe marrim informacion është avokati. Nuk e kuptoj sesi policia lejoi që polici të shkonte pa marrë masat. Vëllai ishte person i çmendur e duhej të ishte menduar rreziku që mund të vinte prej tij, edhe ne si familjarë i frikësoheshim.
Si mund të shkonte policia pa u koordinuar, pa një skuadër të armatosur, pa dikë nga psikiatri që të negocionte, pa skuadrën e zjarrfikësve. Nuk e di pse policia ka shkuar pa përgatitur dhe nuk morën masat që ai polic të mos vdiste. Kërkojmë nga Policia e Shkodrës të zbardhë ngjarjen e të tregojnë pse e kanë çuar ashtu policin. Unë kam dëshminë e 5 të afërmve të cilët i kanë kërkuar policisë së Lezhës që të ndërhynin për të negociuar situatën, pasi e njihnin më mirë Davidin. Policia nuk ka pranuar dhe mbi të gjitha nuk e ka vënë në dijeni FNSH-në e Shkodrës për rrezikshmërinë e situatës.
Dua t’i them sërish familjes së policit se e di dhimbjen e tyre, jemi me ta e me dhimbjen e tyre. Ai nuk kthehet më, e Zoti i ndihmoftë ta kalojnë dhimbjen./dritare.net
ma.me