Gjykata e Fierit dënoi dje me 8 vite burg biznesmenin dhe ish-anëtarin e Këshillit Bashkiak, Fatmir Kajolli. Gjyqtarja Matilda Shalla vendosi njohjen e vendimit të Gjykatës italiane për të dënuarin Kajolli, por duke i zbritur masën e dënimit me 14 vite.
Prokuroria kërkoi të lihet e njëjta masë dënimi në fuqi, e kërkuar disa kohë më parë nga pala italiane, por trupi gjykues nuk e pa të arsyeshme ta lërë në fuqi atë vendim, sipas të cilit Kajolli duhet të vuante 22 vite burg.
Nga ana e palës mbrojtëse nuk është paraqitur ndonjë argument para trupit gjykues, duke e lënë në dorë të gjyqtarëve vendimin. Në vitin 2001, Kajolli u dënua nga Gjykata e Milanos, me 24 vite burg për veprat penale “grup kriminal, trafikim, prodhim dhe posedim të lëndëve narkotike”. Dy vjet Kajollit iu konsideruan të kryera duke përllogaritur kohën e paraburgimit.
Biznesmeni u arrestua fillimisht më 9 prillit 2012, pasi figuronte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në organizata kriminale nga Drejtësia italiane.
Më pas u la në arrest shtëpie deri në pritjen e vendimit për ekstradim. Në njoftimin e policisë asokohe të arrestimit të Kajollit thuhej se “arrestimi i tij u bë për arsye se Gjykata e Romës Itali, me vendim nr. 12423/1 R.G.M-N 7835/1 R.G.G.I.P, datë 26.11.2001, e ka dënuar me 24 vjet burg për veprën penale të “trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve dhe lëndëve psikotrope” si dhe Gjykata e Milanos Itali me vendim, nr. 6886/98 R . G . N . R . – N . 3 0 8 1 / 9 8 R.G.G.I.P, datë 18.09.2000, me 16 vjet burg për “pjesëmarrje në organizatat kriminale me qëllim trafik narkotikesh”.
Më 11 qershor të vitit 2012, Gjykata e Shkallës së Parë Fier mori vendim për mosekstradimin drejt Italisë të Fatmir Kajollit. Trupi gjykues atë kohë, pasi shqyrtoi kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e tij dhe argumentet e paraqitura nga mbrojtja e Kajollit, e cilësoi si të paligjshëm ekstradimin e tij, duke argumentuar se kishte gjetur parregullsi në letërporosinë e dërguar nga Drejtësia italiane.
Por në mars të këtij viti Drejtësia italiane kërkoi të njihej vendimi i dhënë në Milano dhe Kajolli ta vuante dënimin në Shqipëri. Duke bashkuar dënimet, pala italiane ka kërkuar dënimin me 22 vjet në Shqipëri dhe të paguajë 190 mijë euro gjobë. Pas kësaj kërkese, Kajolli u arrestua sërish po në mars (ai kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu me amnistinë e fundvitit për rrahjen e një qytetari).
Ndalimi i tij u krye mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Fierit, sipas së cilës gjykata e këtij rrethi kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat ndaj 50-vjeçarit Kajolli deri në përfundim të procesit gjyqësor për njohjen e vendimit të dhënë nga Drejtësia italiane ndaj tij.
Në njoftimin zyrtar të Policisë së Fierit thuhej se ndalimi i Kajollit është kryer për veprat penale “krijim i organizatave kriminale” dhe “trafikim i lëndëve narkotike”, për të cilat akuzohej nga Drejtësia italiane.
Në mënyrë më të detajuar, Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur sekuestron preventive për pasuritë si më poshtë:
Tokë truall me sipërfaqe 4500 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 1700 m2, shitur nga Fatmir Kajolli shtetases Majlinda Çuko (Kajolli) në vlerën 900 mijë lekë
Tokë pyll, me sipërfaqe 365.000 m2, blerë nga shtetasja Majlinda Çuko (Kajolli) me vlerë 60 milionë lekë (të reja)
Tokë pyll, në 5 parcela, me sipërfaqe totale 576.770 m2, të regjistruara në emër të Majlinda Çuko (Kajolli), e gjithë sipërfaqja e dhuruar me kontrata të dyshimta dhurimi nga të njëjtët persona
Tokë pa fryt, në 8 parcela, me sipërfaqe totale 177.600 m2, të regjistruara në emër të Majlinda Çuko (Kajolli), e gjithë sipërfaqja e dhuruar me kontrata të dyshimta dhurimi nga të njëjtët persona që kanë dhuruar edhe pasuritë e tjera
Tokë arë, në 4 parcela, me sipërfaqe totale 138.400 m2, të regjistruara në emër të Majlinda Çuko (Kajolli), e gjithë sipërfaqja e dhuruar me kontrata të dyshimta dhurimi nga të njëjtët persona që kanë dhuruar edhe pasuritë e tjera.
Tokë Joproduktive, me sipërfaqe 840.000 m2, e regjistruar në emër të Majlinda Çuko (Kajolli), e gjithë sipërfaqja e dhuruar me kontrata të dyshimta dhurimi nga të njëjtët persona që kanë dhuruar edhe pasuritë e tjera.
Gjithashtu, Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur sekuestro preventive edhe për shoqëritë tregtare, si më poshtë
Shoqëria “CITADELLA”, Fier, regjistruar në emër të shtetases Majlinda Çuko (Kajolli), me aktivitet “Prodhime materiale ndërtimi, ndërtime të ndryshme, import-eksport, etj. Rritje, zënie dhe tregtim peshku”.
Shoqëria “ABA 2001”, Fier, regjistruar në emër të shtetases Majlinda Çuko (Kajolli), me aktivitet “Veprimtari private në fushën e pastrimit, dhe riciklimit të mbetjeve urbane. Si edhe Transport udhëtarësh brenda vendit”.
Shoqëria “International Parking 2011”, Fier, regjistruar në emër të shtetasit Florim Kajolli, me aktivitet “Veprimtari shërbimi, mbikqyrje dhe administrimi parkingu publik, si edhe bar-restorant-lavazh”.
Panorama/d.i.