Suzanna Shkreli, shqiptarja që kandidon për kongresiste në Michigan, ka pasur një të papritur të bukur sot, kur është takuar me ishPresidentin Bill Clinton, gjatë paradës për Ditën e Punës në Michigan.
Ata shfaqen krahë për krahë në një foto, ndërsa vetë Shkreli, në një shënim në Facebook, tha se e falenderoi ish-presidentin amerikan, për çfarë kishte bërë për shqiptarët, gjatë kohës që drejtonte Shtetet e Bashkuara.
“Ai u entuziazmua kur i tregova se isha shqiptaroamerikane e brezit të parë që po kandidoja për Kongres”, shkruan Suzanna, duke thënë se nëse fiton në nëntor do të hyjë në histori.
Ndihmësprokurorja 29-vjeçare ka hyrë në një garë jo të lehtë përballë kongresmenit republikan në fuqi, Mike Bishop, në Distriktin 8, Michigan. Ajo e filloi fushatën me vonesë, pas tërheqjes së një kandidate fillestare, por është optimiste se, përkundër kushteve, do të ketë sukses në nëtor.
Illyria shkruan se ajo ka marshuar sot me sindikatat punëtore, ka folur kundër marrëveshjes tregëtare të Paqësorit të Presidentit Obama, që mund të humbasë vende në Michigan dhe ka marrë pjesë në disa takime publike ku është prezantuar nga Demokratë të njohur të shtetit. Zgjedhjet për Kongresin, ashtu si ato presidenciale, do të mbahen në 8 nëntor.