Pas marrjes së njoftimit nga Shërbimi Social i Vlorës mbi kushtet e mjerueshme të familjes Meminaj në fshatin Akërni të Vlorës, ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi, u angazhua personalisht në dhënien e ndihmës për ta.
Ministri Klosi, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë, Dritan Leli e Drejtoresha e Shërbimit Social Vlorë, Ines Stasa, vizituan familjen dhe i siguruan në bashkëpunim me bisnese nga Tirana e bisnese lokale ndihmën e parë në ushqime e veshmbathje. Hippo Market u angazhua të furnizojë me ushqime për një periudhë njëvjeçare familjen Meminaj.
Përmes ndihmës së bisneseve dhe punimeve nga nxënësit e Shkollës Profesionale “ Pavarësia” Vlorë, familjes Meminaj do t’i rikonstruktohet shtëpia plotësisht përmes konstruksionit metalik të çatisë, mureve, dyerve, dritare e instalime elektrike dhe hidraulike. Përmes apelit ndaj bisnesit, sipërmarrës të ndryshëm kanë ofruar orenditë elektroshtepiake e hidrosanitare, ndërsa World Vision ka marre persiper mobilimin e brendshem me krevata, dysheke etj. Klosi siguroi ndihmën e mëtejshme nga ana e ministrisë së Mirëqënies Sociale për çdo familje në nevojë.