Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri slloven Miro Cerar vlerësuan ecurinë e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes vendeve dhe shprehën vullnetin e përbashkët për zgjerimin dhe thellimin e tyre në fusha me interes të ndërsjellë.Kryeministri Cerar vlerësoi rolin e kryeministrit Edi Rama në arritjet e vendit në procesin e integrimit në BE dhe theksoi se Sllovenia mbështet aktivisht që sa më parë të caktohet data për çeljen e negociatave.
Në këtë kontekst, Kryeministri slloven vlerësoi reformën në drejtësi si një hap të rëndësishëm të hedhur drejt integrimit të Shqipërisë në BE dhe ofroi gatishmërinë për bashkëpunim në këtë drejtim.
Në takim u diskutua ndër të tjera edhe për zhvillimet në rajon, me theks Kosovën. Kryeministri Edi Rama theksoi se qeveria e Shqipërisë ka mbështetur dhe mbështet fuqimisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shprehu bindjen se njohja sa më e shpejte e Kosovës nga Serbia, do të jetë në dobi të vetë Serbisë, si dhe do të lehtësojë proceset bashkëpunuese.Ndër të tjera, Kryeministri Rama nënvizoi rëndësinë e një vendimmarrjeje sa më të shpejtë nga ana e BE për liberalizmin e vizave me Kosovën, “pasi fakti që ka vetëm një popull, i cili nuk lëviz dot lirisht si të gjithë të tjerët në Evropë, – për shkak se duhet të lëvizë me vizë në çdo vend, dhe ky është populli i çliruar i Kosovës, – është një turp për BE.” – u shpreh Kryeministri. Pas takimit mes tyre, të dy kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:
A do të japë Sllovenia mbështetjen për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE?
Kryeministri Cerar:
Ju falenderoj për pyetjen. Sllovenia, qeveria jonë ndjek një politikë që mundëson hapjen e derës për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që të futen në Bashkimin Europian. Unë mendoj që Bashkimi Europian duhet t’i mbajë hapur këto dyer, por vendi kandidat për në Bashkimin Europian duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet që kemi qenë të detyruar t’i plotësojmë edhe ne, kur i jemi bashkëngjitur kësaj lidhjeje.Sa i përket një zhvillimi të shkëlqyeshëm të Shqipërisë, ku brenda një afati të shkurtër kohor, situata ka ndryshuar për mirë në shumë drejtime, unë besoj se Shqipëria është e aftë të bëjë me sukses, hapa të mëtejshëm në procesin drejt Bashkimit Europian. Prandaj, Sllovenia në mënyrë aktive mbështet që sa më parë të përcaktohet edhe data për nisjen e negociatave.Edhe sot, unë kam afruar, nëse është e nevojshme, ndihmën nga ana jonë në procesin e implementimit të reformave në fushën e drejtësisë, po ashtu, edhe kudo tjetër ku mendoni se Sllovenia mund të ndihmojë dhe do të ndihmoheni me ekspertë, konsultime etj.. Ne do të mbështesim këtë proces. Unë mendoj se familja europiane është më e gjerë se vetë Bashkimi Europian dhe askush që dëshiron t’i bashkëngjitet kësaj familjeje dhe i plotëson kushtet nuk duhet të mbetet anash.
Vitin e fundit shkëmbimi i marrëdhënieve e tregtare mes Shqipërisë e Sllovenisë ka qenë në shifrat rreth 35 milionë euro, me një prani 66 kompanive sllovene. Çfarë ofron Shqipëria për të gjithë investitorët sllovenë, që të rrisin praninë e tyre në Shqipëri?
Kryeministri Rama: Volumi tregtar mes Shqipërisë dhe Sllovenisë përbën një shifër që është një sfidë për të dyja palët, pasi potenciali është shumë më i madh. Për këtë arsye, unë e kam njohur Kryeministrin me disa masa që kemi marrë për të lehtësuar investimet e huaja, si dhe me dëshirën tonë që të shikojmë më shumë kompani sllovene që të investojnë në ekonominë shqiptare. Duke pasur njëkohësisht parasysh faktin që ato kompani që e kanë bërë kanë sjellë jo vetëm rritje të të ardhurave dhe të volumit tregtar, por edhe një kulturë të admirueshme pune dhe profesionalizmi, që ka ndikuar shumë pozitivisht edhe në kompanitë shqiptare me të cilat ato ndërveprojnë.Kështu që potenciali është aty. Ne na takon vetëm që të shtyjmë përpara, duke mbështetur afrimin e njohjen e mëtejshëm mes sipërmarrjes shqiptare dhe sllovene. Për këtë janë bërë disa iniciativa dhe do të punojmë sëbashku për t’i intensifikuar këto iniciativa. Ashtu sikundër besoj që deri në gjysmën e parë të vitit të ardhëm do të kemi mundësuar edhe vizitën e organizuar për një delegacion të sipërmarrjes sllovene në Shqipëri, për t’u njohur nga afër me mundësitë dhe të sipërmarrjes shqiptare ë Slloveni, duke shfrytëzuar bërthamën e Dhomës së përbashkët të Tregtisë Shqiptaro-Sllovene dhe eksperiencën e kompanive shqiptaro-sllovene, që tanimë e kanë çelur këtë rrugë.
Pyetje lidhur me krizën e refugjatëve.
Pyetje lidhur me krizën e refugjatëve.
Kryeministri Cerar: Shqipëria deri tani nuk ka qenë në të ashtuquajturën rrugë e Ballkanit, që për momentin është e mbyllur. Nuk ka qenë pjesëtare në rrugëtimin e Ballkanit. Nëse ka diçka më tepër lidhur me këtë, do njoftojë zoti Rama. Nëse sërish do hapet ky rrugëtim. Prandaj, Sllovenia në rrugëtimin diplomatik, me të gjitha mundësitë e tjera, mund të ndihmojë edhe kur bisedojmë me vendet e Bashkimit Europian që të ngremë një mbikëqyrje efikase në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian. Në kuadër të kësaj, në mënyrë konkrete duhet të mbështeten të gjitha iniciativat e Bullgarisë, Maqedonisë si vend jo anëtar i BE, Greqisë si vend anëtar i BE dhe i zonës Shengen, që këtë kontroll ta zbatojnë sa më efikas. Për këtë qëllim, nëse e kërkon situata, duhet të dërgojmë ndihma materiale, ndihma me ekspertë, po ashtu njësi policore nëse është e nevojshme, nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, që në pikat e jashtme kufitare të BE të kemi një mbrojtje efikas të kufijve, që të mos kemi futje masive ilegale të refugjatëve dhe të parandalohen aktivitetet e klandestinëve dhe të grupeve kriminale.Por njëkohësisht luftojmë edhe për dy gjëra të tjera. Së pari, që Europa të unifikohet për një aktivitet më aktiv në vendet ku buron kjo krizë, në vendet afrikane apo në Siri. Europa duhet të bëjë më tepër që njerëzit të mos ikin nga këto vende. Së dyti, kam parasysh edhe interesat e Sllovenisë, që do të thotë që Sllovenia si anëtare e përgjegjshme e zonës Shengen duhet të mbrojë edhe territorin Shengen, që brenda saj të mos të kemi nevojë ngritjen e kufijve, një gjë të tillë e shohim në disa vende. Ne me përgjegjësi do të marrim pjesë në këtë proces, do të dëshmojmë solidaritet si deri tani, por nuk do të lejojmë që edhe më tej, këto kalime të paligjshme nëpërmjet Sllovenisë. Prandaj do të bëjmë gjithçka që situata në Slloveni në këtë mënyrë të mbrohet dhe të sigurohen qytetarët e saj dhe kufijtë.
Kryeministri Rama: Kriza e refugjatëve ndër të tjera ka nxjerrë në pah një dobësi të madhe të Bashkimit Europian, i cili është treguar i paaftë të veprojë si një trup i vetëm në përballimin e kësaj krize dhe ia ka lënë gjeografisë të përcaktojë qëndrimet dhe zgjidhjet që fatkeqësisht, ashtu siç kemi parë gjatë pikut të krizës, kanë qenë jo harmonike dhe ad-hoc, vend pas vendi.Ka qënë në nderin e vendeve të rajonit, të atyre që janë anëtare të Bashkimit Europian dhe të atyre që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian, që gjatë krizës kanë dëshmuar qëndrueshmëri, në raport me parimet dhe vlerat e Bashkimit Europian. Ashtu sikundër ka qënë në turpin e disa vendeve të BE-së, të cilat i janë shmangur detyrimit të tyre, që buron nga karta e Bashkimit, për të qënë pjesë e zgjidhjes, pavarësisht se gjeografia i ka favorizuar, duke mos i vendosur ballë për ballë me krizën.Sllovenia është një vend i vogël për të mbajtur peshën që i ra mbi supe, ashtu sikundër dhe vende të tjera të rajonit, që janë jo vetëm të vogla, por dhe të pafuqishme përballë peshës së jashtëzakonshme të kësaj krize për t’u lënë vetëm, apo për të mos qene pjesë integrale e një plani të përbashkët europian.Shqipëria nuk ka qënë pjesë e korridorit për arsye gjeografike. Ne e kemi thënë që ditën e parë që, pavarësisht se gjeografia nuk na vendos përballë krizës, siç ka vendosur Greqinë, Maqedoninë, Serbinë, Kroacinë, vetë Slloveninë, ne jemi të gatshëm të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë, por brenda një plani të përbashkët europian.Rajoni nuk mund të jetë një hapësire ku Bashkimi Europian shkarkon krizën dhe përballimi me këtë krizë nuk mund të jetë shfaqja ekstreme e disa egoizmave nacionale brenda BE-së. Kështu që ne kemi qënë dhe mbetemi të gatshëm, në rast se kriza rishfaqet, të luajmë rolin tonë, të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë, pavarësisht se nuk jemi anëtarë të Bashkimit Europian, por kemi qënë dhe mbetemi të keqardhur që disa vende të BE-së kanë dhënë një shembull shumë negativ në këtë proces dhe faktikisht e kanë bërë të pamundur administrimin e kësaj krize, si një krizë me të cilën duhet të përballet BE. Pra, të gjitha vendet sipas peshës së tyre dhe jo vende të vogla të mbajnë një peshë kaq të madhe, vetëm e vetëm sepse i dënon gjeografia dhe vende të tjera të mos mbajnë fare peshë, vetëm e vetëm sepse ia u mundëson gjeografia.Ashtu sikundër, ne, së bashku me kolegun slloven dhe kolegë të tjerë në Bruksel, e kemi bërë të qartë se sa e rëndësishme ka qënë në atë fazë intensifikimi i përpjekjeve me Turqinë, të cilën e shohim si një faktor kyç në këtë krizë. E për këtë arsye, ne konsiderojmë se vendet e rajonit mund të luajnë një rol të vazhdueshëm pozitiv, duke intensifikuar komunikimin dhe marrëdhëniet me vetë Turqinë, si një faktor kyç.
Pyetje lidhur me Kosovën.
Kryeministri Rama: Përsa i përket Kosovës, së pari dëshiroj të nënvizoj se e kam ndarë edhe me Kryeministrin slloven domosdoshmërinë që së bashku, ne të bëjmë përpjekje për të institucionalizuar marrëdhëniet e Kosovës me NATO-n. Ka qënë një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm strategjik, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO dhe është po kaq e rëndësishme strategjikisht që edhe Kosova të institucionalizojë marrëdhëniet me NATO-n dhe të hyjë në një proces normal drejt integrimit të plotë në NATO, që sigurisht nuk është tema e momentit të sotëm, por duhet të jetë në axhendën e NATO-s.Ashtu sikundër, nga ana tjetër, ne e kemi mbështetur dhe e mbështesim fuqimisht dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, përtej faktit se mbrojmë fort mendimin që sa më shpejt Serbia të njohë Kosovën, aq më shpejt vetë Serbia do të çlirohet nga një situatë psikologjikisht dhe strategjikisht e pafavorshme për të, në raport me Kosovën dhe aq më të lehta do të bëhen të gjitha proceset e tjera. Nuk është se Kosova nuk respekton marrëveshjet me Bashkimin Europian. E kundërta është e vërtetë. Të gjitha palët në Kosovë janë të përkushtuara në procesin e integrimit europian, por, sigurisht, dinamikat e brendshme dhe dinamikat e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë influencojnë për mirë dhe për keq, sipas rastit, në qëndrime të caktuara brenda për brenda politikës në Kosovë, në raport me këto marrëveshje dhe në raport me këto hapa që duhen hedhur patjetër.Ne kemi qënë dhe mbetemi të bindur se Kosova do ta zgjidhë një orë e me parë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, si një çështje që shkon shumë përtej asaj që duket në pamjen e parë dhe që ka të bëjë pikërisht me atë që ju thatë, seriozitetin e vendit dhe përshpejtimin e procesit të afrimit të vendit me Bashkimin Europian. Ashtu sikundër dua të shpresoj shumë që kjo vështirësi nuk do të ndikojë në vendimmarrjen e shpejtë të Bashkimit Europian për të liberalizuar vizat me Kosovën, pasi fakti që ka vetëm një popull, i cili nuk lëviz dot lirisht si të gjithë të tjerët në Europë, – për shkak se duhet të lëvizë me vizë në çdo vend dhe ky është populli i çliruar i Kosovës, – është një turp për Bashkimin Europian.
Me. Ar