Fillimisht kërkuan 900 bileta, më pas 400, për të vijuar me njoftimet zyrtare se nuk do të kenë asnjë mbështetës në stadiumin “Loro Boriçi”. Federata e Futbollit të Maqedonisë duket se ka luajtur me blofin, duke acaruar jo pak institucionin e futbollit shqiptar. Burime zyrtare në këtë të fundit i treguan dje gazetës “Panorama Sport” se vetëm në momentet e fundit është bërë një kërkesë nga pala maqedonase për 150 bileta.
Pra, zyrtarisht sot në stadiumin “Loro Boriçi” do të jetë i pranishëm një numër i tillë mbështetësish të Maqedonisë, që do të vendosen në tribunën E5, aty ku është edhe vendi i rezervuar për miqtë.
“Do të shikojmë situatën dhe do të vendosim nëse tribuna ngjitur me tifozët miq do të hapet ose jo për efekte sigurie. Gjasat më të mëdha janë që edhe sektori E4 të jetë i gatshëm për të pritur tifozë, teksa bëhet fjalë për 430 vende. Interesimi është i madh për bileta dhe do të shikohet mundësia që të shfrytëzohet i gjithë kapaciteti i stadiumit”, i tregoi dje gazetës një burim zyrtar në FSHF.
Ndërkohë, në sektorin ku do të qëndrojnë tifozët maqedonas, mësohet se do të jenë të pranishme edhe Forcat Speciale, për të evituar çdo incident të mundshëm. Vlen për t’u theksuar se nga Maqedonia kanë udhëtuar për të mbështetur Shqipërinë disa tifogrupe të njohura si “Ballistët”, “Shvercerat” etj, që gjithnjë kanë qenë pranë kuqezinjve, jo vetëm në ndeshjet brenda, por edhe në transferta.
BW/d.i.