Transferimi nga Chievo te Pro Vercelli rezultoi një lëvizje mjaft e mirë për Armando Vajushin. Mesfushori shqiptar është kthyer menjëherë në protagonist në skuadrën e Serie B italiane. 24-vjeçari shënoi në ndeshjen e dytë si titullar, në barazimin 1-1 që skuadra e tij regjistroi në fushën e Trapanit. Në minutën e 10-të të lojës, Vajushi kaloi miqtë në avantazh, duke shënuar me kokë pas harkimit të Germano-s nga krahu. Goli i parë për shkodranin në futbollin italian.
Një rrjetë e rëndësishme për Armando Vajushin, i cili nuk shënonte prej 13 Dhjetorit të vitit 2014, kur aktivizohej në Bullgari në radhët e Litex Lovech. Trapani arriti të barazonte shifrat në pjesën e dytë të lojës me Coronado-n, që shfrytëzoi një top të mbetur në zonë pas një goditje këndi.
Ky ishte barazimi i dytë për Pro Vercelli-n në dy ndeshjet e para të Serisë B, por tashmë piemontezët janë të vetëdijshëm se me Armando Vajushin të rikthyer në formë kanë në dispozicion një element mjaft të rëndësishëm në garën për mbijetesë.
Supersport/d.i.