Grupi G nis sot udhëtimin e tij drejt Rusi 2018. Spanja, Italia, Shqipëria, Maqedonia, Izraeli dhe Lihtenshteini do të jenë në garë mes tyre, por ndryshe nga Europiani, në Botëror kualifikohet direkt vetëm e para e grupit.
Rregullorja nënvizon gjithashtu se nga 9 të dytat e grupeve, më e dobëta mund t’i kursejë vetes lodhjen dhe të akomodohet menjëherë në divan për të parë spektaklin sportiv, ndërsa tetë të tjerat do të ndeshen mes tyre në play-off, për katër vende. Kontinenti europian do të dërgojë në Botëror 13 kombëtare, plus Rusinë organizatore 14, prandaj, me gjithë këta numra të ngjeshur, lufta pritet të jetë e ashpër, por edhe me plot surpriza.
Duke u bazuar në këto fakte, media italiane nuk ngurron që të lëshojë alarmin, aq më shumë duke parë debutimin e bërë nga përfaqësuesja e Xhampiero Venturës në Bari, kundër Francës. Gjithmonë skeptikë dhe me lapsin e mprehur mirë për të kryqëzuar atë që gabon, këtë herë gazetarët dhe specialistët kryqëzojnë gishtat, ndonëse paralajmërimi i parë erdhi dje, në faqet e të përditshmes “Gazzetta dello Sport”. “Itali, je në grupin e ferrit, prandaj bëj kujdes!”.
Dhe ndoshta kanë të drejtë, sepse edhe kalendari nuk e ndihmon Italinë. Ndeshja e parë do të jetë sot, kundër Izraelit, një skuadër shumë fizike, e cila mund të jetë një pengesë e madhe. Sot, në Haifa, fitorja është detyrim, sepse menjëherë më pas, në tetor i pret dueli direkt me Spanjën, e etur për t’u hakmarrë, për eliminimin nga Europiani.
“Furitë e kuqe” duket se e kanë rimarrë veten pas përgjumjes së treguar në Francë, vetëm 2 muaj më parë, pasi teknikisht janë ende më lart se të kaltrit dhe fryma e sjellë nga trajneri i ri mund të ndikojë shumë pozitivisht. Dueli i tetorit do të luhet në “Juventus Stadium”, një ndeshje ku humbja nuk duhet as çuar nëpër mend…
Kalendari vijon me transfertën maqedonase dhe me atë në Lihtenshtein, dy takime ku kurrsesi nuk duhet të mungojnë 6 pikët, përpara se Italia të presë Shqipërinë më 24 mars 2017. Kjo ndeshje do të jetë mjaft speciale, duke qenë se ka shumë shqiptarë në Itali (e konfirmoi rasti i Xhenovas, ku stadiumi u mbipopullua me ngjyrat kuqezi), por, nga ana tjetër, Gianni De Biasi ndoshta do të jetë edhe më i karikuar për të mundur mikun e njëkohësisht rivalin Giampiero Ventura.
Fundja, trajneri aktual i Shqipërisë ishte në listë dhe mes favoritëve për të pasuar Antonio Conten në stolin e kombëtares. Dhe, ndoshta, ky takim i 24 marsit të ardhshëm, por edhe ai i kthimit më 9 tetor 2016 do të jenë rasti që De Biasi kërkon të shfrytëzojë për t’i lëshuar Federatës Italiane të Futbollit një sinjal se ndoshta kanë bërë zgjedhjen e gabuar në stol.
Me pak fjalë, De Biasi do të kërkojë të fitojë një bast me veten, një revansh kundrejt atyre që nuk i dhanë mundësinë të trajnojë Italinë. Kaq mund të mjaftojë për të paralajmëruar një betejë të ashpër në Grupin G…
Panorama/d.i.