Maqedonia është gati për ndeshjen ndaj Shqipërisë që do të zhvillohet në ‘Loro Boriçi’ , sonte nga ora 20:45, në kuadër të eliminatoreve për Botërorin 2018.
Trajneri i Maqedonisë, Igor Angelovski, në konferencën për media, vlerësoi futbollistët shqiptarë që ka në skuadër ku mbi të gjithë spikasin dy lojtarët e Shkëndijës së Tetovës, Ferhan Hasani dhe Besart Ibrahimi, duke shfaqur besim të verbër tek ata.
“Është e vërtetë që lojtarë si Hasani apo Ibraimi do të luajnë përballë vendit të tyre të origjinës por mua nuk më tremb ky fakt. Ata janë profesionistë dhe do ta lënë mënjanë anën emocionale duke dhënë maksimumin në fushë”, ka deklaruar ai
“Unë u besoj futbollistëve shqiptarë që kam në skuadër më shumë se syve të mi. Shpresoj të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të marrim rezultatin që dëshirojmë. Nuk do të jetë e lehtë por do të provojmë të bëjmë më të mirën”.
Angelovski e ka studiuar në detaje lojën e Shqipërisë dhe mendon se Maqedonia i ka të gjitha mundësitë për t’iu përshtatur të gjitha skemave që mund të aplikojë trajneri i kuqezinjve, Gianni De Biasi. Edhe një barazim do të ishte një rezultat pozitiv për Maqedoninë në këtë ndeshje.
“Është e kotë ta fsheh që nuk e kam studiuar në detaje Shqipërinë. Sot teknologjia të jep mundësinë të shikosh çdo sfidë të kundërshtarit dhe të analizosh me imtësi çdo gjë. Kam parë ndeshjen e fundit të Shqipërisë ndaj Marokut. Në atë takim ata kanë përdoruar disa sisteme loje duke luajtur fillimisht me skemën 4-3-3 dhe më pas me atë 3-5-2”,ka treguar ai.
“Ne jemi përgatitur mirë dhe do të mundohemi ti përsiatemi çdo moduli loje që do të aplikojë Shqipëria. A do të isha i kënaqur me një barazim? Për ne çdo rezultat tjetër përveç humbjes do të ishte një rezultat pozitiv”, ka përfunduar Angelovski./a.m.