Kuvendi i Shqipërisë do të çelë nesër në orë e pasdites sesionin e ri parlamentar për vitin 2016- 2017. Ndryshe nga herët e shkuara ky sesioni do të nisë më herët, duke patur parasysh dhe faktin se janë një sërë ligjesh të reformës në drejtësi që ende nuk janë miratuar, në mënyrë që të bëjnë funksionale dhe ndryshimet kushtetuese të 22 korrikut.
Pritet që debatet mes maxhorancës dhe opozitës të fokusohen pikërisht tek këto ligje, pas kalimit të projekligjit të Vettingut, javën e kaluar, vetëm me votat e maxhorancës. Konkretisht bëhet fjalë për Projektligjin “Për Gjykatën Kushtetuese”, projektligjin “Për organizimin e gjyqësorit”, ai “Për organizimin e prokurorisë”, Projektligjin “Për mirëqeverisjen e organeve të drejtësisë”, projektligjin për SPAK dhe Byroja si dhe Projektligji “Për statusin e gjyqtarëve”.
Nga ana e saj opozita ka paralajmëruar disa herë se do të ankimojë në gjykatën kushtetuese Vettingun, pasi sipas demokratëve, ligji është në shumë aspkete, në kundërshti me ndryshimet e reja kushtetuese dhe dukshëm tenton t’i japë liri ekzekutivit (Kryeministrit Rama) per të shtrirë duart drejt gjyqësorit.
Një tjetër debat, i konsumuar vetëm përmes rrjeteve sociale më së shumti, është ai i largimit të Ministrit të Transporteve Edmond Haxhinasto nga posti i tij, një pikë jashtë rendit të ditës, që nuk do të anashkalohet nga opozita, e sidomos nga ish kreu i saj historik Sali Berisha.
Nisja e këtij sesioni vjen më herët se vitet e mëparshme, kjo edhe për vetë faktin se nga sesioni i mëparshëm janë trashëguar një serë nismash të rëndësishme që bëjnë të zbatueshme Reformën në Drejtësi.
Në këtë sesion të ri, vëmendja pritet të përqëndrohet edhe tek ekonomia për faktin se Kuvendi do të duhet të shqyrtojë në javët e muajt e ardhshme buxhetin faktik të vitit të mëparshëm si dhe projektbuxhetin e vitit të ardhshëm./java/a.k