Është inauguruar Instituti i Lidershipit Arsimor (ILA) në kryeqytet, Institucioni i cili ka për qëllim formimin e drejtuesve të shkollave si profesionistë dhe sigurimin përmes certifikatës, cilësinë e këtij formimi.
E pranishme në ceremoni ishte Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e cila në fjalën e saj theksoi se ky institucion do t’u ofrojë drejtuesve të shkollave asistencën e duhur profesionale dhe do t’i ndihmojë ata të plotësojnë në vijimësi objektivat e reformës arsimore për rritjen e cilësisë së arritjeve të nxënësve.
Në fjalën e saj ministrja Nikolla theksoi se gjithçka se kemi gjetur, në kontekstin e përgatitjes dhe të ndihmës së drejtuesve të shkollave, përmblidhet në dokumentin “Standardet e drejtorit” një dokument ky i cili është i konceptuar si mjet për vlerësimin e performancës.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla vuri theksin tek fakti se modeli për formimin fillestar të drejtuesve të shkollave është konceptuar i tillë që të mund të zhvillohet edhe nga fakultetet që plotësojnë kriteret për zhvillimin e këtij programi ose agjenci të akredituara, shkruan shqip. Në institutin, i cili u çel për herë të parë në vendin tonë, marrin pjesë rreth 200 drejtorë shkollash nga e gjithë Shqipëria.