Ndeshja kundër Flamurtarit, premiera e kampionatit të ri, po afron dita-ditës dhe te Skënderbeu gjithçka është përqendruar drejt kësaj sfide. Ditën e djeshme, trajneri Andrea Agostineli ka nisur zyrtarisht përgatitjet për këtë takim dhe një gjë të tillë ua ka transmetuar edhe lojtarëve në fillim të seancës stërvitore.
Trajneri italian i Skënderbeut ka kërkuar nga ekipi i tij që të fillojë me seriozitet përgatitjet për ndeshjen e parë të kampionatit, si dhe i ka njoftuar se do të kenë një analizë të vogël para startit të stërvitjes.
Duket se takimi i një dite më parë me trajnerin italian Karlo Ançeloti e ka frymëzuar së tepërmi trajnerin e Skënderbeut, pasi ka kërkuar nga ekipi i tij të japë maksimumin në këto ditë përgatitjeje dhe më pas ta tregojë të njëjtën gjë në fushë.
Pikërisht, trajneri ka kërkuar që të shkundë ekipin që në momentet e para teksa të mbledhur rreth tij në qendër të fushës, italiani ka qenë i qartë në fjalët e tij.
“Jam i kënaqur për sa i përket formës fizike. Mund të them se jeni rritur fizikisht tashmë dhe jemi gati për të nisur si duhet sezonin e ri. Por ajo që duket dhe që të gjithë po na e vënë re është mungesa e golit. E di që do të vijë, por duhet ta nxjerrim me çdo kusht që në takimin e parë.
Le ta nisim me fitore kampionatin. Dua nga ju që në gjithë këto ditë përgatitjeje që kemi përpara ndeshjes me Flamurtarin të jepni më të mirën në stërvitje. Ajo që duhet të vlerësoj te ju është fakti që keni një qarkullim të mirë të topit. Dini të luani mirë me shokun që keni afër, por mungojnë vertikalizimet. Pikërisht ato që janë më të rëndësishme për të shënuar.
Duhet të nisim të shënojmë, më kuptoni? Dhe si bëhet kjo gjë? Duke qenë gjithmonë më agresivë në 30 metrat e fundit të fushës. Është pikërisht kjo gjëja ku ne vuajtëm më shumë në miqësoret që kemi zhvilluar. Duhet të jemi më të qartë në 30 metrat e fundit të fushës dhe nuk ka asnjë dyshim që do ta bëjmë.
Kjo bëhet duke shkuar me shumë bindje përpara, me shumë forca dhe të vertikalizojmë sa më shumë në fazën sulmuese. Po marr si shembull kur Mici ka topin në këmbë, është ai që dikton lojën, por kur topi shkon në mesin e fushës, atëherë është patjetër e nevojshme që një nga lojtarët e vijës së parë të sulmit të vijë kundra, për të krijuar hapësirat e nevojshme për vertikalizim.
Kjo është ajo që do të na sjellë me lehtësi te goli. Jam i bindur që do ia dalim”, përfundoi analizën e tij para nisjes së seancës stërvitore trajneri i Skënderbeut, Andrea Agostineli./pranorama/a.k