Agjencia e Trajtimit të Pronave nis të hënën procesin për plotësimin e dosjeve me mangësi në dokumentacion.
Ndërsa për dosjet për të cilat ka një vendim dhe përfituesit kanë pretendime në lidhje me vendimin, duhet të paraqiten në ATP për të paraqitur ankesën.
Në të njëjtën kohë, në zbatim të vendimit për kompensimin financiar dhe fizik, pronarët që kanë një vendim mund të paraqesin kërkesat në lidhje me mënyrën e pagesës. Ish-pronarët duhet të plotësojnë një nga katër formularët-tip që vihen në dispozicion nga agjencia. Detajet në lidhje me ndryshimet në mënyrën e organizimit të punës për shqyrtimin e kërkesave në ATP janë bërë të ditura përmes një urdhri që mban firmën e drejtoreshës së Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Sonila Qato.
URDHRI
Sipas këtij urdhri, takimet me pronarët dhe trashëgimtarët do të zhvillohen çdo ditë të mërkurë, nga ora 08:00-16:30, pranë Sektorit të Shqyrtimit të Kërkesave për Njohje Pronësie. “Në rast plotësimi dokumentacioni të dosjeve përkatëse për çdo ditë tjetër mund t’i depozitoni pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Publikun ose me postë”, referon urdhri për të gjithë ata individë që prej vitesh kërkojnë të drejtën për njohjen e pronësisë.
Sa i përket dërgimit të dokumenteve që kërkon Agjencia sipas rasteve, ato duhet të depozitohen me postë në adresë të ATP-së, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, dhe në dërgesë duhet të shënohen qartë, numri, data e dosjes si dhe emri, mbiemri i subjektit të shpronësuar. “Në të kundërt, aktet do t’ju kthehen në adresën e dërguesit”, citon urdhri. “Gjithashtu, takimi me trashëgimtarët e subjektit të shpronësuar apo personat me prokurë në lidhje me sqarimet, si dhe çdo procedurë tjetër në funksion të zgjidhjes sa më të drejtë të kërkesës, do të bëhet çdo ditë të mërkurë, nga ora 08:00-16:30, edhe pranë Sektorit të Kompensimit Financiar e Fizik”, përfundon ai.
KOMPENSIMI FINANCIAR DHE FIZIK
Sipas formularëve-tip mësohet se kërkuesi duhet të cilësojë faktin se kërkon kompensim financiar. Për plotësimin e dosjes duhet të paraqitet: Kërkesa për kompensim financiar/fizik, konfirmim nga ZVRPP-ja për gjendjen juridike të pronës, vërtetim nga gjykata nëse vendimi përfundimtar apo i vlerësimit të tij është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore, dëshmi trashëgimie nëse ka ndryshuar rrethi i trashëgimtarëve, prokurë e nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët, vërtetim numër llogarie, vërtetim nëse subjekti ka përfituar ose jo tokë bujqësore, dokument identifikimi dhe mandat pagese. Të njëjtat dokumente duhet të paraqiten edhe në rastin kur pronari kërkon kompensim fizik.
LLOGARITJAKompensimi për ish-pronarët për tokën truall, sipas zërit kadastral të vitit 1945 dhe hartës së vlerës së tokës që është në fuqi, do të kryhet me para. Kufiri i caktuar nga ligji është 50 milionë lekë për çdo vendim të njohur.
Këshilli i Ministrave ka rregulluar me anë të një vendimi kufirin e pagesës në lekë dhe atë të kthimit fizikisht të pronës. Kështu, të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë truall, përfitojnë kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në masën 50, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.133/2015, dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht nga fondi i tokës. Neni 8, pika a, e ligjit nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” thotë se subjektet e shpronësuara u nënshtrohen procedurave të kompensimit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, bazuar në vendimet përfundimtare për njohje dhe kompensim financiar. /G.SH/r.a