David Qosja është autori i vrasjes së efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Ardian Kodra. Qosja është 30 vjeç, i lindur në fshatin Tamarë të Malësisë së Madhe, ndërsa jetonte i vetëm në banesën e tij në Torovicë të Lezhës. Sipas banorëve të fshatit, ai njihej si një person me probleme mendore, por që nuk dispononte një kartelë mjekësore.
Ata tregojnë se Qosja ka pasur një jetë të vështirë, që nga vdekja e babait dhe vëllait (u shtyp me traktor), e largimi i nënës së tij te një nga motrat jashtë shtetit. Mësohet se prej kohësh, i riu kishte shfaqur shenja të çuditshme në sjellje, rrinte i veçuar nga të tjerët dhe nuk kujdesej për veten.
Ngjarja
David Qosaj ishte mbyllur që prej drekës në banesën e tij në Torovicë, i armatosur dhe qëllonte në ajër duke kundërshtuar forcat e policisë. Në vendngjarje menjëherë pas lajmit të rezistencës, mbërritën grupet e FNSH-së, që u munduan ta arrestonin. Por, sipas burimeve, FNSH-të dhe Policia nuk kishin informacion të detajuar lidhur me profilin dhe rrezikshmërinë e autorit.
Gjatë operacionit për kapjen e Qosajt u vra efektivi Kodra, që u qëllua nga autori. Pas kësaj, u thirrën forcat RENEA nga Tirana që mbërritën rreth orës 17:15. Pas mbërritjes, RENEA evakuoi zonën rreth banesës së Qosajt në Torovicë në rast rreziku. Snajperat u pozicionuan gati për qitje, mirëpo objektivi ishte fshehur në një dhomë ku RENEA nuk kishte fushëpamje.
Arrestimi
Autori i vrasjes së efektivit të FNSH-së, Ardian Kodra po refuzonte vazhdimisht negociatat dhe po qëllonte drejt RENEA-s. Kështu, Qosaj tentoi madje që të arratisej, duke u përpjekur që t’i vinte zjarrin katit të dytë të banesës për të shpërqendruar Policinë. Mirëpo, RENEA veproi me gaz lotsjellës fillimisht, dhe më pas hodhi një granatë “trullosëse”, për ta shpërqendruar autorin dhe për ta trullosur. Pas këtij momenti, kanë ndërhyrë në banesë forcat RENEA dhe e kanë arrestuar autorin të gjallë. Mësohet se ai nuk ka marrë asnjë plumb dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.