Pasi kompania ARMO iu rikthye aktivitetit të rafinimit të naftës pas muajsh të tërë bllokimi të plotë zv. Kryeministri Niko Peleshi dhe Ministri i Financave Arben Ahmetaj kanë zhvilluar sot një vizitë në Ballsh ku janë takuar me përfaqësuesit e grupit investitor amerikan IRTC dhe punonjësit e rafinerisë.
Brenda dy javësh rafineria do të punojë me kapacitete të plota me 1200 punëtorët ndërsa nga data 1 Tetor fillon prodhimi intensiv i naftës. Ministri i Financave rifillimin e punës në rafineri e ka cilësuar një lajm shumë të mirë për ekonominë shqiptare dhe një premtim i mbajtur i qeverisë.
“Çdokush e di se çfarë ka kaluar industria e naftës, sidomos ju që e mbani mend mirë atë privatizim të dështuar dhe korruptiv që rëndoi mbi të gjitha në kurrizin tuaj si të punësuar dhe që përfunduat gati -gati në skllevër të papunë për disa vite.
Hapja e rafinerisë ka në vetvete disa lajme të mira, jo vetëm për ekonominë shqiptare, investitorët dhe kthimin në punë të 1200 punëtorëve“.
Ministri theksoi se ky është një premtim i mbajtur i Kryeministrit dhe qeverisë dhe përgjigja më e mirë për SHQUP-in. Lidhur me investimin e kompanisë amerikane, Ahmetaj tha se “vetëm në vitin e parë janë 52 milionë dollarë investime që shkojnë në rinovimin e rafinerisë dhe më pas të lidhura edhe me fushat e gazit me TransAtlantik që shkojnë në gati edhe 100 milionë dollarë të tjerë që do të investohen’tha ai.
“Ne jemi shumë të kënaqur për këtë mundësi për të riaktivizuar rafinerinë dhe për t’i rikthyer këta njerëz në punë” – tha përfaqësuesi i grupit investitor në Shqipëri Harry Seargent.
Prej kohësh kompania ARMO është në një situatë tejet të vështirë financiare.
ma.me