I pyetur për mënyrën sesi Shqipëria mund të rrahë Italinë në futboll, Carlo Ancelotti ka thënë me shaka se kjo është detyra e De Biasit, teksa ka shtuar se pavarësisht se ekipet e vogla nuk duhet të pretendojnë të bëhen kampione, përsëri Shqipëria bëri një paraqitje dinjitoze.
Këto ishin fjalët e trajnierit të Bayern Mynich, i cili ka qenë në Tiranë nën shoqërinë e Kryeministrit Edi Rama dhe panelit të COD-së, për të diskutuar në lidhje me librin e tij, i cili do të përkthehet së shpejti edhe në shqip, ashtu siç paralajmëroi dhe vetë Kryeministri.
“Ky është një libër i veçantë, sepse flet për një lidership të “qetë”, që nuk është pjesë e steriotipeve, ndërsa ne jemi mësuar me modelin e liderit, e sipërmarrësit dhe është për ne një kënaqësi e madhe që të bëjmë një diskutim për këtë çështje.”- tha Rama.
“Jam I nderuar që ndodhem këtu, ju falenderoj për ftesën Kryeministrit Edi Rama. Është hera e dytë që vij në Tiranë, hera parë ka qenë si futbollist I Milanit në një miqësore. Kam patur një vit kohë dhe gjatë tij qe një hobi për mua. Librin e kam shkruar së bashku me një professor të Londrës.
Futbolli është ky, trajneri duhet të ketë aftësi të menaxhojë, të krijojë aspekte tëndryshme e marrëdhënie me shumë persona, në këtë sens besoj se trajneri është ai që ka një lidership të qetë dhe jo autoritar.
Unë asnjëherë nuk kam patur një lider autoritar, babai im nuk ka qenë po as mësuesit apo trajnerët e mi nuk kanë qenë. Ndonjëherë më kanë thënë që ndonjëherë duhet të përdorësh thuprën, por aty personave u kam thënë se nëse doni thuprën, atëherë do duhet të merrni një njeri tjetër.”-tha Ancelotti.
“Nuk besoj se ky ështënjë libër që do duhet ta lexojnë vetëm karakteret e qeta, është një libër që jep shumë udhëzime. Mendoj që në libër ka shumë gjëra mjaft të dobishme për cdo person që punon me njerëz të tjerë, e sidomos me për ata që do të duhet të menaxhojnë njerëz të tjerë.
Në mos gaboj, në libër përmendet nja 3 herë Vito Corleone… ke bërë një dallim mes pjesës së të ligut dhe të keqit, por edhe respektit që ai i impononte”- tha Rama.