Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizuan disa takime për informimin dhe edukimin e zgjedhësve me 140 gra në bashkinë e Dibrës, më 1 dhe 2 shtator 2016, në prag të zgjedhjeve të 11 shtatorit për kryetarin e bashkisë. Takimet, të cilat u zhvilluan në tri njësi administrative të kësaj bashkie – Peshkopi, Muhur dhe Maqellarë – rritën ndërgjegjësimin e grave, përfshirë të atyre që votojnë për herë të parë – për të drejtat e tyre dhe rëndësinë e votës.
Kryetarja e KQZ-së u foli pjesëmarrëseve për barazinë gjinore në proceset zgjedhore, lirinë e votës dhe problemin e votimit familjar. Një përfaqësuese e Prezencës së OSBE-së i njohu ato me hapat e fundit lidhur me reformën zgjedhore dhe me kuotën gjinore për zgjedhjet vendore.
Gjatë kësaj jave, Prezenca e OSBE-së po zhvillon, gjithashtu, takime me këshilltare bashkiake të partive të ndryshme në bashkitë e Vlorës, Sarandës, Konispolit, Himarës dhe Dibrës, për të diskutuar për përfaqësimin e tanishëm të grave në politikë, zbatimin e mekanizmave të barazisë gjinore në nivelin vendor dhe përmirësimin e mundshëm të kuotës gjinore për zgjedhjet parlamentare të 2017-s.
“Këto veprimtari tregojnë besimin e OSBE-së në rëndësinë që ka rritja e pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe publike, si dhe janë pjesë e mbështetjes për partnerin tonë afatgjatë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, tha Kryetari në Detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton. “Pas bisedave paraprake, ne jemi gjithashtu të gatshëm t’i ofrojmë komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore ekspertizën e kërkuar, sapo ai të fillojë punën”, tha Wilton.
Këto veprimtari janë pjesë e punës së vijueshme të Prezencës për të nxitur angazhimin qytetar në Shqipëri, për të fuqizuar profesionalizmin e administratës zgjedhore, si dhe për të përmirësuar cilësinë e zgjedhjeve, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it./a.m.