Arben Frroku është bllokuar për 20 minuta në kufirin e Malit të Zi me Kroacinë. Sipas avokatit të Frrokut, ai i është nënshtruar procedurave të verifikimit, pas ka qënë në listën e zezë si i kërkuar nga autoritetet shqiptare për vrasjen e komisar Ditan Lamaj.
Tonin Prendi ka thënë për mediat se Frroku nuk u shoqërua në polici, por iu nënshtrua procedurave verifikuese.
Këto procedura të gjata sipas avokatit u bënë për shkak të emrit të tij të ngelur në listën e të kërkuarve.
Autoritetet e Malit të Zi kanë kërkuar informacion për të verifikuar nëse Frroku ishte apo jo në kërkim dhe pas marrjes së përgjigjes negative nga pala shqiptare, e kanë lënë atë të lirë për të udhëtuar për në Kroaci.
Emri i Arben Frrokut ka mbetur ende në listën e personave në kërkim pasi kjo listë nuk është përditësuar. Frroku është shpallur i pafajshëm për akuzën e vrasjes së komisarit Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur më 24 shkurt të 2013.
Çështja po ndiqet nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ku të hënë pritet të jepet vendimi. Prokuroria ka kërkuar rrëzimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe rikthimin e tij në burg. Vendimi i Apelit për Arben Frrokun do të jepet pas 48 orësh dhe kjo mund të jetë një nga arsyet se përse ai mund të jetë larguar.