Dy vjet pas ndryshimit të ligjit të barnave ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj flet me siguri se sasia e barnave në treg është rritur me afro 17 përqind, kushtojnë më lirë dhe nuk është prekur cilësia e tyre. Sipas ministrit janë futur 671 barna të reja në treg.
“Ne kemi ulur ndjeshëm çmimin e barnave. Barnat çmimet e të cilave janë rritur më shumë nuk janë patenta apo origjinatorë. Në 2013, patentat apo origjinatorët përbënin 35 përqind të vlerës së barnave që vinin në Shqipëri, në 2015 përbëjnë 55 përqind”, thotë Beqaj.
Beqaj flet i sigurtë për cilësinë e barnave në treg, pasi sipas tij është ulur çmimi për të njëjtin bar të së njëjtës kompani, ndërkohë që është rritur numri i barnave patentë që hyjnë në Shqipëri.
“Unë nuk di rast konkret të raportuar në sistemin tonë, që të jetë thënë nga një mjek që nuk ka dhënë efekte tek pacienti”, deklaron ministri.
Lidhur me akzuat se nga Shqipëria po largohen kompani të mëdha farmaceutike, ministri shpjegon se kompania për të cilat pretendohet, furnizon tregun shqiptar me barna, por ka ndryshuar vetëm përfaqësinë e saj.
“Nuk është e vërtetë që kompanitë e mëdha po ikin nga Shqipëria. Për mua është e rëndësishme që kompanitë të vendosin barnat e tyre në treg”, tha Beqaj raporton tch.
Beqaj tha se sot shpenzohet 1.5 përqind e GDP për barna dhe ka më shumë barna në treg, kur më parë shpenzohej 2.2 përqind e GDP./a.m.