Alban Rama u arrestua nga policia teksa po drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Për këtë akuzë, i riu u dënua me 60 orë punë në interes të publikut.
33-vjeçari u pyet nga shërbimi i provës që mbikëqyr vendimin e gjykatës nëse ka vullnet që pas 12 shtatorit t’i nënshtrohet për 60 orë një pune të veçantë në interes publik, siç është ndërgjegjësimi i qytetarëve për të mos shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
“Jam dakord të ndihmoj për të edukuar fëmijët. Do ishte kënaqësi”, thotë Alban Rama.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës njoftoi se aktualisht po pyeten të gjithë të dënuarit për shkelje të rregullave të qarkullimit të dënuar nga gjykata, si në rastin e Alban Ramës, për të edukuar qytetarët në rrugë.
Deri më tani Shërbimi i Provës i ka angazhuar të dënuarit alternativë në pastrimin e ambienteve dhe të muzeve.
“Janë 240 të dënuar të tillë që në bashkëpuim me njësitë vendore dhe Ministrinë do t’u thonë qytetarëve të mos të shkelin rregullat. Është një mënyrë për të vuajtur dënimin”, thotë Ilir Qafa nga Shërbimi i Provës.
Gjatë verifikimeve e njëjta procedure u ndoq edhe për 24-vjeçarin Veli Sala 24 vjeç, i dënuar për drejtim të mjetit pa patentë, i cili në përfundim rezultoi se nuk mund të përfshihet në një punë të tillë në interes të publikut duke qenë se detyrimi që gjykata ka shpallur për të është i periudhës së provës./tch/a.k