Ministri i Financave, Arben Ahmetaj bëri me dije se Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi sot rishikimin e tetë të programit me Qeverinë shqiptare.
“Sërish lajm i mirë për ekonominë shqiptare dhe një përgjigje e merituar për “kukuvajkat” që dëshirojnë vetëm skenarë të zinj për ekonominë e vendit”, nënvizon Ahmetaj.
Sipas tij, miratimi i rishikimit të tetë të programit me Qeverinë shqiptare, konfirmon edhe njëherë plotësimin e të gjithë kritereve të performancës të vendosura në program.
“Rimëkëmbja ekonomike po përforcohet, e mbështetur nga investimet dhe konsumi. Një progres i mirë është bërë me axhendën e reformave strukturore. Inflacioni po rimëkëmbet nga nivelet e ulëta të fillim-vitit ndërsa strategjia e qeverisë për zgjerimin e bazës së taksapaguesve, rritja e pajtueshmërisë së publikut për pagimin e taksave dhe përmirësimi i administratës do të ndihmojnë në uljen e nivelit të borxhit duke krijuar edhe më shumë hapësirë për shpenzime publike produktive” nënvizohet në deklaratën e FMN-së.
Ministri Ahmetaj e cilëson këtë miratim, si një tjetër certifikim të performancës, një tjetër argument të qartë për suksesin e programit të rimëkëmbjes së ekonomisë dhe konsolidimit fiskal në Shqipëri si dhe një tjetër përgjigje të merituar për ata që nuk heqin dorë nga një skenar grek për vendin.”/a.m.