Nesër çdo zgjedhjes që ka mbushur 18 vjeç, ka të drejtë të ushtrojë të drejtën kushtetuese të votimit. Por cilat janë gabimet që nuk duhet të bëjmë në ditën e dielë? Procedurat e nevojshme, dokumentacion dhe sjelljet e ndaluara, i gjeni në përgjigjet e pyetjeve të mëposhtme.
Kur fillon dhe kur mbaron procesi i votimit?
Qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00. Askush nuk mund të votojë pas orës së mbylljes së qendrave të votimit, me përjashtim të zgjedhësve që presin për të votuar në kohën e mbylljes, sipas procedurave të parashikuara Kodin Zgjedhor.
Si verifikohet emri në listën zgjedhore?
Çdo zgjedhës mund ta verifikojë paraprakisht emrin ën listat zgjedhore të afishuara në vende publike pranë komunave dhe bashkive aktuale, ose pranë zyrës së gjendjes civile pranë organit të njësisë vendore përkatëse. Po ashtu, lista mund të kontrollohet online në faqen cec.org.al që është faqja zyrtare e KQZ-së. Ditën e votimit, emri kontrollohet pranë komisionit të qendrës së votimit. Këshillohet që votuesit ta gjejnë emrin në listë një ditë më përpara, në mënyrë që të dinë numrin rendor ku ndodhen, dhe në atë numër rendor, t’i kërkojnë komisionerit të gjejë emrin, duke përshpejtuar procesin.
Çfarë dokumentesh duhen për të marrë pjesë në votim dhe cila është procedura?
Pas hyrjes së zgjedhësit në qendrën e votimit zgjedhësi thotë emrin dhe paraqet para KQV-së një nga dokumentet zyrtare të vlefshme të identitetit me të dhëna biometrike: letërnjoftim ose pasaportë. Një prej anëtarëve, i caktuar me vendim të KQV-së, kontrollon zgjedhësit në të dy duart, në çastin e paraqitjes para KQV-së dhe para marrjes së fletës së votimit, nëse është timbruar (pra që ka shenjën e zezë në gishtin e madh)ose jo me lëndën e posaçme.
Në rast se zgjedhësi është timbruar, anëtari i KQV-së ia bën të ditur menjëherë këtë fakt anëtarëve të tjerë të KQV-së, të cilët e verifikojnë menjëherë. Emri dhe mbiemri i këtij zgjedhësi shënohen në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQV-së dhe atij nuk i jepet fletë votimit. Kryetari, pasi verifikon se të dhënat e identitetit të zgjedhësit përputhen me të dhënat në listën e zgjedhësve dhe se zgjedhësi është i njëjtë me personin në dokumentin e identitetit, shënon në listën e zgjedhësve llojin dhe numrin e serisë të dokumentit të identitetit dhe i heq vizë emrit të zgjedhësit në këtë listë. Zgjedhësi nënshkruan në listën e zgjedhësve anash emrit të tij, fleta e votimit vuloset në pjesën e pasme të saj me vulën e KQV-së dhe vulën e kryetarit të KQV-së.
Zgjedhësi shënohet me bojë të posaçme në dorën e majtë nga një anëtar i caktuar , të dukshme me shikim të lirë dhe që nuk hiqet për jo më pak se 24 orë, me qëllim shmangien e votimit më shumë se një herë dhe më pas i jepet fleta e votimit. Në rast se zgjedhësi nuk pranon të timbroset me lëndën e posaçme, atij nuk i jepet fleta e votimit dhe identiteti i tij mbahet shënim në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQV-së. Një prej anëtarëve, i caktuar me vendim të KQV-së, kujdeset për ruajtjen e radhës së votimit të zgjedhësve.
Kur përpara KQV-së paraqitet një zgjedhës, i cili nuk është regjistruar në listën përfundimtare të zgjedhësve, por është i pajisur me vendim gjykate, i cili i jep të drejtë të votojë në atë qendër votimi, KQV-ja shënon emrin e zgjedhësit në një regjistër të posaçëm, numrin e dokumentit të identifikimit dhe bashkëlidhur vendimin e gjykatës.
Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën votimit shënon në krah të emrit të subjektit zgjedhor apo partisë pjesëtare të një koalicioni shenjën “x” ose “+” apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij. Zgjedhësi, pasi bën shënimin në fletën e votimit, palos fletën e votimit, në mënyrë që shenja të mos jetë e dukshme, por të paktën një nga vulat në pjesën e pasme të fletës të jetë e dukshme. Zgjedhësi, pasi del nga dhoma e fshehtë, e hedh fletën e votimit në kutinë përkatëse të votimit dhe largohet nga qendra e votimit.
Cilat janë sendet e ndaluara brenda qendrës së votimit?
Brenda qendrës së votimit nuk lejohen aparatet fotografike, telefonat celularë, apo sendet e tjera të ndaluara, si armë të ftohta apo të ngrohta. Po ashtu ndalohen kafshët shtëpiake.
Cilat janë sjelljet e ndaluara brenda qendrës së votimit?
Në qendrën e votimit nuk lejohet përdorimi i telefonisë celulare nga ana e zgjedhësit dhe zgjedhësi nuk duhet të lejohet të votojë duke mbajtur aparatin telefonik në dorë. Nëse zgjedhësi tenton të përdorë aparatin e telefonisë apo çdo pajisje tjetër regjistrimi në dhomën e fshehtë, njoftohen organet e rendit. Po ashtu, nuk mund të shkojë në dhomën e fshehtë më shumë se një person.
Ku mund të ankohen zgjedhësit në rast se hasin pengesa apo vështirësi në ditën e votimit?
Kur zgjedhësi has vështirësi, ose pengesë në ushtrimin e të drejtës së votës, së pari ai i drejtohet sekretarit apo kryetarit të KZAZ-së. Policia nuk është zgjidhje në këtë rast, përjashtuar rastet e ushtrimit të dhunës, kanosjes apo formave të tjera të sjelljeve të ndaluara. Për procesin teknik zgjedhor, marrëdhëniet i rregullon vetëm KZAZ-ja, dhe në rastin më fundor, gjykata.