Ekipet e shpëtimit në Itali janë vënë në garë kundër kohës për të riparuar një rrugë tepër të rëndësishme, e cila mundëson kalimin nga qyteti i L’Aquilato në Amatrice-n e izoluar pas tërmetit prej 6.2 ballësh të 24 gushtit.
Si një prej qyteteve më të afërta me Amatrice-n, L’Aquilato është tani një qendër nga ku materialet e nevojshme u dërgohen të prekurve nga lëkundja katastrofike. Por rruga më e shkurtër mes dy vendeve është bllokuar që prej tërmetit.
Ushtarë, zjarrfikës dhe grupe të emergjencave civile po punojnë intensivisht duke sfiduar shiun. Ata shpresojnë që brenda dy ditësh të mundësojnë qarkullimin në rrugë duke dërguar kamionë me ndihma në Amatrice nga një zonë më pak e dëmtuar, çka mund të përshpejtojë procesin e shpërndarjes dhe rikonstruksionit.
“Do të punonim më mirë nëse nuk do të kishte shi, por nuk do të ndalemi deri sa të rivendoset qarkullimi pasi kjo rruge është shumë e rëndësishme”.
Drejtori i Departamentit të Mbrojtjes Civile, Luciano Sulli tha se kjo do të jetë infrastruktura e parë e rëndësishme që do të restaurohet pas tërmetit, çka do ta bëjë një simbol të shpresës së rifillimit të procesit të rikonstruksionit.
Ndërkohë shumë vullnetarë të Kryqit të Kuq po qëndrojnë pranë epiqendrës së tërmetit për mbledhjen e parave të nevojshme për rikonstruksionin. Ata kanë përjashtuar mundësinë e shpërthimit të ndonjë epidemie pas tërmetit.
Tërmeti vrau të paktën 290 persona dhe la 4 mijë të tjerë të pastrehë. Në 31 gusht kryeministri italian Mateo Renzi emëroi Vasco Errani si drejtor të punimeve për rikonstruksionin. Errani ishte president i rajonit të Emilia Romanjës 4 vite më parë kur dy tërmete goditen zonën duke vrarë dhjetëra persona./tch/a.k