Komisioni Qendror i Konkursit të Pranimit të studentëve për vitin akademik 2016-2017 në Universitetin e Sporteve ka miratuar vlerësimin me pikë të mesatares së maturës shtetërore.
Pikët maksimale të notës mesatare janë 40, dhe i marrin ata kandidatë që kanë mesatare mbi 9.96. Konkursi i pranimit në Universitetin e Sporteve është mbyllur prej dy ditësh. Pjesëmarrës në konkurs ishin 837 kandidatë, ndërkohë që kuotat e pranimit të studentëve në vit të parë në dy fakultetet e këtij universiteti janë 300.
Fituesit, ashtu si edhe në universitetet e tjera, do të përzgjidhen dhe do bëhen publikë në datën 5 shtator 2016.
VLERËSIMI
Në Universitetin e Sporteve ka përfunduar testi fizik i kandidatëve të cilët do të pranohen në vitin e ri akademik, i cili u zhvillua nga data 23 deri më 30 gusht. Nga konkursi, pikët maksimale që mund të fitojnë kandidatët janë 60, ndërsa nga nota mesatare e shkollës së mesme janë 40. Nëpërmjet një vendimi që ka marrë Komisioni Qendror i Konkursit të Pranimit ka përcaktuar se si do të bëhet konvertimi në pikë i notës mesatare. Bashkëngjitur shkrimit është tabela e cila përcakton se si kthehet në pikë çdo notë mesatare duke nisur nga 6.00-6.05, e cila faktikisht merr zero pikë, deri në notën 9.96-10, e cila merr pikët maksimale: 40. Kandidatëve pjesëmarrës në konkurs do t’u mblidhen pikët e konkursit me pikët e mesatares, ndërkohë që vlerësimi maksimal te Sportet është 100 pikë. Një kandidat që ka mesatare 7.86, nga mesatarja i bie që ka fituar 19 pikë; këtyre pikëve do t’u shtohen pikët e konkursit dhe do të bëhet renditja përfundimtare e kandidatëve. Gara më e fortë në këtë universitet është në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes, pasi garojnë 556 kandidatë për 150 vende, ndërsa te Fakulteti i Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit garojnë 281 konkurrentë për po 150 kuota pranimi. Fituesit në universitet duhet të shpallen brenda datës 5 shtator, datë kjo që iu është përcaktuar Institucioneve të Arsimit të Lartë nga udhëzimi i Ministrisë së Arsimit.
Gazeta Shqiptare /r.a