Një shtëpi evropiane pas pjesëmarrjes historike të Shqipërisë në Kampionatin Europian e cilësoi kryeministri Edi Rama impiantin modern “Loro Boriçi”.Teksa ishte i pranishëm në inaugurimin e stadiumit në Shkodër, në miqësoren përballë Marokut, për emisionin “Kuq e Zi”, kreu i qeverisë vlerësoi investimin e radhës të rëndësishëm në futboll.
“Është vërtet një moment shumë i bukur, pasi është kurorëzuar një punë jo e lehtë. U hapën dyert e një stadiumi europian, në një qytet që futbollin e ka pjesë të të jetuarit. Shkodra e ka merituar prej kohësh një shtëpi të tillë”, tha Rama.
Përveçse shtëpia e Kombëtares shqiptare, “Loro Boriçi” mund të jetë edhe stadiumi komfor të gjithë parametrave, ku ndeshjet e saj mund t’i luajë edhe përfaqësuesja e Kosovës.
Kryeministri Rama e la të hapur derën, ndërsa foli edhe për Arenën e Kombëtares, impiantin që ka nisur nga puna në kryeqytet, i cili do të jetë më moderni dhe më i madhi në vend.
“Stadiumin në Shkodër është një shtëpi e re për Kombëtaren, por edhe për Kosovën. Dhe nëse Loro Boriçi është spektakolar, arena në Tiranë do të jetë super-spektakolare”, shtoi Rama, citohen burime te Supersport. (b.an)