Kapiteni i Maqedonisë, Goran Pandev, e shikon shumë të vështirë ndeshjen ndaj Shqipërisë, e cila do të luhet më 5 shtator në stadiumin “Loro Boriçi”. Në një prononcim për mediat maqedonase, sulmuesi i Xhenoas foli për takimin me kuqezinjtë dhe situatën te Maqedonia në prag të kësaj sfide.
“Ne po shohim me optimizëm këtë edicion që nis me ndeshjen ndaj Shqipërisë. Qëllimi ynë do të jetë për të përmirësuar sa më shumë nivelin e futbollit të Maqedonisë dhe unë mendoj se ne jemi të gatshëm për ta bërë atë. Kemi nevojë për këtë optimizëm dhe unitet.
Vendosmëria në lojën tonë dhe cilësia që kemi, jam i bindur se do të na çojë në sukses. Grupi është i vështirë, çdo ndeshje është një sfidë e veçantë, por unë besoj te skuadra dhe stafi që kemi. Ne duhet të përpiqemi të bëjmë diçka të rëndësishme.
Me Shqipërinë do të jetë një ndeshje e vështirë, por gjithçka është e mundur. Ndoshta fitojmë ne, ndoshta humbasim, por e rëndësishme të luajmë mirë”, deklaroi Pandev.
Ibraimi
Sulmuesi shqiptar i Maqedonisë, Besart Ibrahimi, është i lumtur që u grumbullua nga trajneri Igor Angelovski.
“Ky është një fillim i ri, me energji dhe sfida të reja. Ne duhet të respektojmë taktikën e trajnerit për të arritur një rezultat pozitiv. Unë shpresoj se do të kemi sukses, edhe pse e dimë që ndaj Shqipërisë do të jetë një takim shumë i fortë.
Shpresoj që do të ndihmoj ekipin në këto kualifikime për rezultate të mira. Atmosfera është pozitive dhe uroj që të marrim pikë ndaj Shqipërisë”, deklaroi Ibrahimi.