Nga sot, të gjithë individët apo bizneset të cilët duan të rivlerësojnë pronat e tyre, mund t’u drejtohen zyrave vendore të pasurive të paluajtshme në të gjitha rrethet e Shqipërisë për të tërhequr formularët e për t’i dorëzuar më pas në sportele. Në një intervistë për “Vizion Plus”, kryeregjistruesi Ilirjan Muho, sqaron se ka nisur udhëzimin në të gjithë kadastrat për të qenë gati për pritjen e qytetarëve. “Sot udhëzimi u është shpërndarë të gjitha zyrave vendore, të cilat janë të gatshme të presin kërkesat e qytetarëve për fillimin e procesit të rivlerësimit të pasurive.
Procedura
Sipas drejtorit të ZRPP-së, fillimisht, pronari apo një person me prokurë për të kryer këtë proces, duhet të marrë formularin në sportelet e hipotekës, ose ta printojë atë nga fletorja zyrtare. Më pas ai duhet të plotësojë pikën 1 dhe pikën 2, ku janë të dhënat e tij, numri i pasurisë dhe taksa që duhet të paguajë. Pas dorëzimit ai bën pagesën në bankë dhe brenda 48 orësh, ndryshimi i vlerës së pronës reflektohet në kartelën e pasurisë. “Për ta konkretizuar nëse dikush ka përfituar një apartament për shkak të procesit të privatizimit pas viteve ’90 dhe nuk është kryer ndonjë transaksion me këtë pasuri, atëherë qytetari që i drejtohet zyrës për rivlerësimin e pasurisë do të paguajë 2 për qind të vlerës, pra të diferencës midis vlerës aktuale të sotme me vlerën që ka pasur pasuria në momentin e kthimit të saj”, thotë Muho. Ndryshe nga rivlerësimi që u bë në vitin 2011, këtë herë përfitojnë edhe pasuritë që janë në proces regjistrimi, ato që kanë një leje legalizimi dhe ato që janë në proces gjykimi, por që kanë bërë më parë një aplikim në Hipotekë.
“Gjithmonë duhet të krijohet titulli i pronësisë, të merret leja e legalizimit dhe në bazë të saj, qytetari mund t’i drejtohet zyrave të Hipotekës, për të filluar procesin e rivlerësimit të pasurive”, shprehet ai. Sipas udhëzimit të firmosur dy ditë më parë nga dy ministrat, Manjani e Ahmetaj, individët, të cilët kërkojnë të bëjnë rivlerësim me vlerën reale të tregut dhe jo me çmimin fiskal të miratuar nga qeveria, duhet të bëjnë atë me një ekspert privat të licencuar dhe menjëherë përfitojnë një çmim më të lartë të pronës së tij. Tashmë, nëse deri në fund të muajit shkurt, shkon në zyrat e hipotekës, askush nuk paguan 15 për qind tatim mbi fitim të diferencës mes vlerës kur ka blerë pronën dhe vlerës së tregut, por vetëm 2 për qind.
ma.me