Para nisjes së seancës për miratimin e ligjit të vettingut opozita deklaroi se ishte e shqetësuar për draftin madje e cilësoi atë edhe si antikushtetues.
Por qëndrimi i opozitës në seancën parlamentare konfirmoi tërësisht të kundërten.
Opozita jo vetëm që braktisi seancën që pa nisur votimi, por edhe në dy diskutimet e deputetëve Berisha dhe Halimi, më shumë se sa të flitej për vettingun që ishte edhe tema e vetme për të cilën u mblodh kuvendi dhe me miratimin e tij varet fati i integrimit të Shqipërisë, u diskutua mbi tema të tjera.
Deputetët e tjerë të opozitës dukej sikur nuk e kishin mendjen shumë tek ligji. Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, zgjodhi të luante një lojë online në telefonin e tij gjatë kohës që Kuvendi diskutonte një ndër ligjet e reformës më të rëndësishme për Shqipërinë.
Bode preferoi të luante “Candy Crash Saga”, një lojë shumë e preferuar për të rinjtë, duke e larguar tërësisht vëmendjen nga ligji i vettingut që po diskutohej në kuvend.
Ish-ministri i financave edhe pse ishte i ulur ngjitur me ish-kryeministrin Berisha, vazhdoi të luante i qetë, madje nuk e kthente kokën as kur Berisha replikonte nga vendi.