Laçi i sezonit 2016-2017 ka pësuar një revolucion të madh, pasi pak lojtarë kanë mbetur nga grupi që mbylli edicionin e fundit. Laçianët kanë humbur “xhevahiret” që kishin në radhët e tyre, por me ardhjen në krye të skuadrës të trajnerit Marcelo Troisi, pritet që zëvendësuesit e tyre të vijnë nga Brazili.
Burime pranë stafit të skuadrës kurbinase bëjnë me dije se është gjetur edhe zëvendësuesi i malazezit Marko Cetkoviç, që ka qenë një nga pikat kryesore të Laçit në sezonet e fundit. Pikërisht bëhet fjalë për Bruno Kamargo Anjelo, i cili ka një eksperiencë të gjatë në futboll. 30-vjeçari e ka nisur karrierën te klubi prestigjioz i Santosit në Brazil.
Me ekipin U-19 të Santosit ai ka luajtur përkrah emrave të mëdhenj të futbollit, si Robinjo dhe Diego. Por, në jetën e përditshme, 30-vjeçari njihet edhe si shok i yllit të Barcelonës dhe kombëtares braziliane, Nejmar. Më- sohet se palët kanë arritur akordin dhe pritet që Bruno Anjelo të jetë përforcimi i radhës i Laçit për sezonin e ri.
Deri tani kurbinasit kanë firmosur me tre lojtarë brazilianë, Zhuniro Pinto, Paulo Serxhio (Taubate) dhe Artur Silva. Pjesë e Laçit konsiderohet edhe fantazisti Maikon Eskuerda, i cili është dëmtuar dhe kërkon kohë që të rikuperohet.
Tre brazilianët e parë konsiderohen të konfirmuar te Laçi. Duke ditur që Eskuerda kërkon kohë që të riaftësohet, drejtuesit kanë vendosur që të afrojnë shokun e Nejmarit, Bruno Anjelo, i cili pritet të marrë në dorë fatet e organizimit të lojës së kurbinasve. Përpos emrave të mësipërm, Laçi mbetet në pritje edhe të një sulmuesi tjetër brazilian, 25-vjeçarit Bruno Akuino./panorama/a.k