Qyteti i Sarandës ka njohur këtë vit një rritje të numrit të vizitorëve. E veçanta e këtij sezoni ka qenë prania e lartë e turistëve italianë, krahas atyre lindorë, që po vërehen prej disa vitesh. Megjithatë, koha e qëndrimit vijon të mbetet e shkurtër dhe shpenzimet për shërbime, të reduktuara.
Shëtitorja e Sarandës me baret, restorantet, hotelet dhe tregun e suvenireve reflekton menjëherë se qyteti gjendet në kulmin e sezonit turistik. Bashkia e qytetit njofton se numri i vizitorëve italianë ka qenë një surprizë e sezonit. Shumë prej tyre kanë zgjedhur të vijnë pa ndërmjetësimin e agjensive turistike. Megjithatë, koha e qëndrimit vijon të mbetet e shkurtër dhe shpenzimet, modeste.
Këtë e pohojnë edhe vetë banorët, të cilët varen nga të ardhurat e përfituara prej turistëve. E tillë është Anila Onjea, artizane në tregun e suvenireve, e cila thotë se pavaresisht se e ka rritur gamën e produkteve, janë të pakta gjërat që blihen: “Shumë dobët. Vetëm kosovarët janë të interesuar për këto”.
Rachel dhe Perrine, dy të reja franceze kanë më shumë se 10 ditë që gjenden në Shqipëri: “Kur u nisëm, nuk dinim çfarë të mendonim. Nuk kishim ndonjë pritshmëri, por zbuluam një vend shumë të bukur, njerëz shumë mikpritës dhe të ngrohtë, ushqim të mirë dhe siguri”.
Ndërsa mikja e saj ka një ankesë të vogël për banorët e zonës: “Ajo që duhet në fakt të përmirësojnë ata që ofrojnë diçka për turizmin është që të flasin anglisht. Patëm disa vështirësi me komunikimin dhe na duhet shpesh të përdorim gjuhën e trupit për t’u marrë vesh.”
Saranda ka një kapacitet akomodues hotelier prej 5700 vendesh dhe për gushtin ishte prenotuar tërësisht./tch/a.k