Roja bregdetare italiane, që koordinoi dje shpëtimin e rreth 6500 migrantëve në brigjet e Libisë, i trembet një fluksi të ri rekord sot në këtë zonë të Mesdheut.
“Ne kemi qenë veçanërisht të zënë sot”, deklaroi dje një zëdhënës i rojes bregdetare italiane.
Sipas tij “kushtet meteorologjike duken të favorshme për një fluks tjetër rekord sot”.
Nisja e migrantëve që prej Libisë bëhet me valë që pasojnë njëra-tjetrën, me një përqëndrim kur deti është i qetë dhe fryn erë nga jugu që ndihmon varkat të dalin në ujëra ndërkombëtare.