Roja bregdetare aero-detare e qytetit të Barit në bashkëpunim me atë të qytetit të Tarantos kanë sekuestruar në ujërat italiane të provincës së Salentos, një gomone që udhëtonte nga Shqipëria drejt Italisë me 80 kg marijuanë në bord si dhe kanë arrestuar me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës dy skafistë shqiptarë me inicilalet T.V 18 vjeç e shtetasin K.B 46 vjeç.
Sipas mediave italiane ngjarja i referohet ditës së dielë 28 gusht. Roja bregdetare italiane e Barit dhe ajo e Tarantos kanë identifikuar mëngjesin e së dielës një gomone të gjatë 5 metra e cila po udhëtonte nga Shqipëria drejt Italisë me disa pako të dyshimta në bord.
Sapo kanë nuhatur ndjekjen nga ana e skafëve të policës financiare italiane, skafistët shqiptarë nga Durrësi nuk kanë braktisur në det lëndën narkotike, por kanë tentuar t’i shmangen forcave italiane të rendit duke kryer disa manovra të rrezikshme.
Pas një ndjekje për disa minutash, policia italiane ka mundur të bllokojë në ujërat e provincës së Salentos, gomonen e drogës duke arrestuar dy skafistët shqiptarë e sekuestruar të gjithë lëndën narkotike të tipit marijuanë.
Marijuana ishte e ndarë në 11 pako dhe shitja e saj në treg do të sillte një përfitim prej 700 mijë euro për organizatën kriminale të drogës. /r.a