Emri i gjatë është “Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, por që tani njihet me inicialet SPAK, dhe kjo strukturë përbëhet nga Prokurorisë së Posaçme si dhe Njësia e Posaçme Hetimore me emrin “Byroja Kombëtare e Hetimit”, BKH, në varësi të saj. DITA ka në dorë dokumentin e plotë të projektligjit mbi funksionimin e SPAK, përmbyllur në datën 15 gusht dhe gati për t’u miratuar në Kuvendin e Shqipërisë.
Nga gjithë zhurma për reformën në drejtësi, për çka u nevojitën edhe ndryshime jo të vogla kushtetuese, besojmë se për lexuesin është me interes të mësojë përmbledhtaz se si do të funksionojë SPAK, struktura që do hetojë korrupsionin dhe krimin e organizuar si dhe Gjykata e Posaçme që do të japë drejtësinë lidhur me këto krime.
Përzgjedhja e kandidatëve
Për të tria strukturat (Prokuroria e Posaçme, BKH në varësi të saj dhe gjykatat e posaçme) dhe personelin administrativ të tyre, kandidatët duhet të plotësojnë kushtet e sigurisë, si më poshtë:
-Kandidati plotëson dhe dorëzon dokumentat, deklaratat për pasurinë dhe konfliktin e interesave tek ILDKPKI, që kontrollohet brenda 120 ditëve.
-Kandidati dorëzon në Autoritetin e Sigurisë Kombëtare një pyetësor sigurie, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Brenda 90 ditëve, drejtori i Autoritetit të Sigurisë Kombëtare i paraqet një raport autoritetit që i cakton në detyrë ose merr në punë, lidhur me faktin nëse pyetësori ishte plotësuar në mënyrë të saktë si dhe i tregon çdo shqetësim që mund të burojë nga hetimi i verifikimit të figurës.
– Kandidati plotëson një deklaratë me shkrim, të nënshkruar prej tij/saj dhe anëtarët e afërt të familjes, sipas së cilës, nëse caktohet në detyrë apo merren në punë, telekomunikimet e tij/saj do të jenë objekt vëzhgimi si dhe heqin dorë nga e drejta e jetës private lidhur me këto komunikime.
Prokuroria e Posaçme dhe BKH
Prokurorët e posaçëm emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi janë filtruar nga Inspektoriati i Pasurisë dhe Autoriteti i Sigurisë Kombëtare, për një mandat nëntë vjeçar. Mandati pezullohet apo të ndërpritet vetëm nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon procedim disiplinor kundër prokurorit. Në përfundim të mandatit, ai kthehet në pozicionin e mëparshëm ose në pozicione të lira të sistemit të prokurorisë, duke marrë përparësi mbi kandidatët e tjerë. Prokurorët e Posaçëm veprojnë dhe marrin vendime në mënyrë të pavarur. Një prokuror më i lartë nuk i jep udhëzime një prokurori të posaçëm lidhur me thelbin e hetimit apo çështjes. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme hetojnë dhe ndjekin penalisht prokurorët e tjerë të Prokurorisë së Posaçme apo gjyqtarët e Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nëse ka prova se prokurori apo gjyqtari është i korruptuar, apo mbështet një organizatë kriminale, apo ka kryer një vepër penale që është në kompetencë të kësaj Prokurorie.
Sa i përket marrëdhënies mes Prokurorisë së Posaçme dhe BKH, është e para që drejton punën e Byrosë Kombëtare të Hetimit si dhe shërbimet e policisë gjyqësore lidhur me hetimin e çështjeve dhe çështjet e ndjekura prej tyre.
Në Strukturën e Prokurorisë së Posaçme janë këto seksione: Kancelari; Seksioni i Dokumentacionit; Seksioni i Ekspertizës; Seksioni i Hetimit Financiar; Koordinatori i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Ndërlidhjes për Hetimet e Përbashkëta; Koordinatori për Marrëdhënien me Mediat; Seksioni për Asistencën për Individët me Status të Posaçëm.
Pushimi i çështjeve nga prokurori i posaçëm
Ka një procedurë të fortë kur prokurori i posaçëm e konsideron të nevojshëm të marrë vendim për të pushuar akuzat ose një çështje. Ai është i detyruar të kërkojë miratimin e shumicës së mbledhjes së prokurorëve të posaçëm. Një prokuror tjetër i posaçëm luan rolin e relatorit para mbledhjes dhe studion dosjen për jo më shumë se 15 ditë. Brenda 20 ditëve nga kërkesa, bëhet mbledhja dhe relatori paraqet raportin e tij nëse pushimi është i bazuar apo i pabazuar. Pas raportimit, bëhet një votim i fshehtë për të miratuar ose rrëzuar kërkesën, ku vendimi merret me shumicë të thjeshtë të prokurorëve të posaçëm. Në rast barazimi të votave, vota e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme është vendimtare.
Nëse mbledhja vendos se kërkesa është e pabazuar, prokurori i posaçëm i caktuar ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme vazhdon procedimin penal. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, nëse është e nevojshme, zëvendëson prokurorin e posaçëm të çështjes. Nëse mbledhja vendos se kërkesa është e bazuar, regjistrohet vendimi për të pushuar akuzat ose çështjen.
Ndërkaq, Prokurorët e posaçëm i përfaqësojnë çështjet e tyre në gjykatën e shkallës së parë, në gjykatën e apelit dhe në Gjykatën e Lartë.
Detyrimet e autoriteteve të tjera shtetërore
Të gjitha organet e pushtetit shtetëror dhe subjektet juridike të cilët, në kryerjen e aktiviteteve të tyre, vijnë në dijeni për rrethana dhe të dhëna për vepra penale që deri tani ishin kompetencë e Krimeve të Rënda, janë të detyruar t’i referojnë këto rrethana ose të njoftojnë menjëherë Byronë Kombëtare të Hetimit ose Prokurorinë e Posaçme.
Të gjithë organet e pushtetit shtetëror janë të detyruar të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. SPAK ka akses të drejtpërdrejtë në sistemet e informacionit apo bazat e të dhënave të administruara nga organet shtetërore, që përmbajnë informacion të duhur për hetimin e veprave penale. Organet shtetërore kanë detyrimin të japin informacion brenda 24 orëve ose, në qoftë se baza e të dhënave ekziston, t’i japin akses të drejtpërdrejtë Prokurorisë së Posaçme. Ky akses nuk zgjat mbi 6 muaj.
Nga ana tjetër, në qoftë se një punonjës i Policisë së Shtetit vjen në dijeni për kryerjen e një vepre penale në kompetencën e SPAK, ai/ajo njofton menjëherë Byronë Kombëtare të Hetimit. Po kështu nëse ekziston dyshim, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave informon Prokurorinë e Posaçme për mjete financiare, të ardhura ose pasuri, që mund të jenë fituar përmes kryerjes së një vepre penale. Ajo pas kërkesës vë në dispozicion të gjitha të dhënat që disponon mbi transaksionet e personave të dyshuar.
Byroja Kombëtare e Hetimit
BKH është një seksion i specializuar i policisë gjyqësore, që vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Drejtori i BKH rekomandohet nga një komision i përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, ndërsa emërimi bëhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Drejtori ka mandat 5 vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë. Pas përfundimit të mandatit, Drejtori ka të drejtën të kthehet në pozicionin e mëparshëm ose të emërohet në një pozicion të të njëjtit nivel, me një gradë që i korrespondon atij funksioni.
Drejtori mund të vijë nga radhët e Policisë së Shtetit, policisë gjyqësore, apo hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, apo prokurorëve. Kandidati duhet të ketë reputacion të njohur si person me integritet dhe i njohur për një punë me standardet më të larta profesionale. Drejtori i BKH lirohet nga detyra nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë kur:
i përfundon mandati; jep dorëheqjen; mbush moshën e pensionit.
Ndërsa mund të shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë bazuar në rekomandimet e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kur:
a) dënohet me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një vepre penale;
b) për shkelje të Kushtetutës apo për shkelje të rëndë të ligjit gjatë kryerjes së detyrës;
c) për shkelje të rënda dhe shumë të rënda të disiplinës gjatë ushtrimit të funksioneve;
ç) kur dalin fakte të reja që janë verifikuar dhe janë në kundërshtim me kriteret e përcaktuara për emërimin e tij/saj.
Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit pezullohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në rekomandimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, nëse drejtori bëhet subjekt i një hetimi penal. Pezullimi vazhdon për aq kohë sa do egzistojnë shkaqet e këtij pezullimi.
Oficeri Përgjegjës për Mbikqyrjen
Ky është një rol mjaft interesant. Oficeri Përgjegjës për mbikqyrjen është një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit me të paktën pesë vite përvojë si oficer i policisë gjyqësore. Një hetues i vetëm emërohet me short për një mandat gjashtë mujor si Oficer Përgjegjës për Monitorimin. Ky mandat nuk mund të përsëritet dy herë brenda një viti.
Oficeri përgjegjës kryen vëzhgimin periodik të telekomunikimeve të kryetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesit, prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, drejtorit, zëvendësdrejtorit dhe hetuesve të BKH, oficerëve të Shërbimeve të Policisë Gjyqësore, si dhe oficerëve të Shërbimeve të BKH. Oficeri përgjegjës nuk ka përgjegjësi të tjera hetimore apo administrative.
Çdo muaj, një prokuror i posaçëm përzgjidhet me short për të shërbyer si prokuror i posaçëm i gatshëm. Oficeri Përgjegjës raporton çdo informacion që ngre dyshime të arsyeshme për veprimtari korruptive apo kriminale tek prokurori i posaçëm i gatshëm. Nëse ekziston dyshimi i arsyeshëm se prokurori i posaçëm është i përfshirë në veprimtarinë kriminale, atëherë Oficeri Përgjegjës i raporton cilitdo prej prokurorëve të posaçëm në Prokurorinë e Posaçme i cili duket se nuk është i përfshirë në veprimtarinë e dyshimtë.
Oficeri Përgjegjës bën monitorim periodik të telekomunikimeve të pjesëtarëve të afërt të familjeve të personave vetëm nëse:
– egziston dyshim i arsyeshëm se telefoni është përdorur nga personat e listuar në paragrafin 3 për të shmangur monitorimin periodik, apo për të shërbyer si ndërmjetës për njërin nga personat e listuar në paragrafin 3;
– monitorimi bëhet ndaj anëtarëve të afërt të familjes të cilët kanë dhënë pëlqimin për monitorimin periodik, por jo ndaj anëtarëve të familjes nën 18 vjeç;
– brenda 24 orëve pregatit një raport me shkrim që shpjegon bazat e dyshimit të arësyetuar dhe rezultatet e monitorimit të anëtarit të afërt të familjes dhe ja paraqet prokurorit të posaçëm të gatshëm. Nëse ai prokuror i poaçëm duket si i përfshirë në një aktivitet kriminal, atëherë, brenda 24 orëve, Oficeri Përgjegjës i raporton cilitdo prej prokurorëve të posaçëm pranë Prokurorisë së Posaçme i cili duket se nuk është i përfshirë në veprimtarinë e dyshimtë; dhe
– Oficeri përgjegjës ruan për një periudhë gjashtë mujore regjistra të telekomunikimeve, të cilat ngrenë dyshime të arsyeshme për veprimtari të papërshtatshme apo kriminale, por të gjitha regjistrimet apo shënimet e tjera i shkatërron brenda 3 ditësh. Një prokuror i posaçëm urdhëron me shkrim, apo gjykatë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar merr vendim me shkrim për ruajtjen e regjistrimeve që mund të ngrenë një dyshim të arsyeshëm për një aktivitet të papërshtatshëm apo kriminal.
– Oficeri Përgjegjës raporton shkelje të etikë së gjyqtarëve apo prokurorëve tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Oficerët e caktuar për sigurinë e gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, familjeve dhe banesave të tyre nuk zëvendësohen pa marrë paraprakisht miratimin e kryetarit të gjykatës, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme apo drejtorit të BKH.
Heqja dorë nga të drejtat
Përpara emërimit, kandidatët për gjyqtarë dhe pozicione të tjera në gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kandidatët për prokurorë dhe pozicione të tjera në Prokurorinë e Posaçme, kandidatët për drejtor, zëvendës drejtor, hetues, oficer të shërbimeve të policisë gjyqësore dhe pozicione të tjera në Byronë Kombëtare të Hetimi firmosin deklaratën përkatëse me shkrim për heqjen dorë nga e drejta e tyre për pritshmëri për privatësi (jetën private) në telekomunikimet e tyre dhe në të dhënat financiare. Kjo deklaratë firmoset përpara se ata të caktohen me detyrë apo të punësohen.
Anëtarët e afërt të familjeve të personave të përmendur gjithashtu firmosin deklaratën përkatëse për heqjen dorë nga të drejtat, si tregues se i kuptojnë kushtet.
Pas caktimit me detyrë apo punësimit, gjyqtarët dhe pozicionet e tjera në gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokurorët dhe pozicionet e tjera në Prokurorinë e Posaçme, drejtori, zëvendës drejtori, hetues, oficerë të shërbimeve të policisë gjyqësore dhe pozicione të tjera në BKH kanë nga një telefon celular, adresë poste elektronike dhe numër telefoni të dhënë nga gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar apo organet e SPAK, dhe bien dakord të përdorin vetëm ata numra telefoni dhe adresa poste elektronike. Ata nuk lejohen të përdorin asnjë formë tjetër komunikimi elektronik. Numri i telefonit dhe adresa e postës elektronike i nënshtrohen kontrollit periodik nga Oficeri Përgjegjës i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Kontrolli
Llogaritë financiare të kryetarëve të gjykatave, të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe krejt srukturës piramidale të SPAK, si edhe të anëtarëve të afërt të familjeve të tyre, vëzhgohen, po ashtu dhe telekomunikimet e kryetarëve të gjykatave, gjyqtarëve, drejtuesit, prokurorëve, drejtorit, zëvendësdrejtorit, hetuesve, oficerëve të shërbimeve të policisë gjyqësore të BKH.
Oficeri Përgjegjës i BKH dhe Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave bashkërendojnë veprimtaritë e tyre dhe takohen sipas nevojës, por jo më rrallë se një herë në muaj, për të diskutuar mbi veprimtari të dyshimta.
Oficeri Përgjegjës i raporton prokurorit të posaçëm të gatshëm çdo information që mbështet një dyshim të arsyeshëm për korrupsion apo veprimtari kriminale. Nëse prokurori i posaçëm duket i përfshirë në veprimtarinë kriminale, atëherë Oficeri Përgjegjës i raporton cilitdo prej prokurorëve të posaçëm i cili duket se nuk është i përfshirë në veprimtarinë e dyshimtë.
Raportimi i informacionit dhe provave
Çdo person, përfshirë oficerët përgjegjës të BKH dhe Drejtorisë së Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave, kanë të drejtën të raportojnë informacion apo prova të një shkeljeje të kryer nga një kryetar ose gjyqtar i gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokuror i Prokurorisë së Posaçme, drejtor, zëvendësdrejtor, hetues, oficer i shërbimeve të policisë gjyqësore ose pozicione te tjera në Byronë Kombëtare të Hetimit, ose nga një punonjës tek një prokuror i Prokurorisë së Posaçme i cili nuk është i përfshirë në shkelje.
Bazuar në një raport të tillë, një prokuror i Posaçëm nis një hetim kundër kryetarit ose secilit gjyqtar të posaçëm dhe punonjësve të tjerë, pa kërkuar miratim nga ndonjë autoritet tjetër.
Nga ana tjetër, nëse ka prova se një kryetar ose një gjyqtar i gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, një drejtues ose prokuror i Prokurorisë së Posaçme ka nxjerrë informacion sensitiv, qoftë nga pakujdesia apo me qëllim, ai person mund të shkarkohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor apo Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Si do fillojë funksionimi?
Për këtë janë parashikuar Dispozitat kalimtare. Gjykatat kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokuroria e Posaçme vendosen në ndërtesën aktuale të Gjykatës për Krimet e Rënda dhe Prokurorisë për Krimet e Rënda. Po ashtu do sigurohet një mjedis i përshtatshëm për Byronë Kombëtare të Hetimit, brenda katër muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Në mënyrë që të respektohet e drejta e të pandehurve për një gjykim të drejtë, çështjet që do të jenë në gjykim para Gjykatave për Krimet e Rënda në ditën e 300-të pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbeten nën kompetencën e Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, edhe nëse ato nuk bëjnë pjesë në kompetencën parësore apo dytësore të Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sipas këtij ligji. Këto çështje ndiqen penalisht nga Prokuroria e Posaçme.
Në mesnatën e ditës së 300-të pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kompetencat e këtyre gjykatave u kalojnë Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme.
Monitorimi ndërkombëtar, 2 vjeçar
Një Komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e BE dhe SHBA në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2 vjeçare duke nisur prej momentit të themelimit të kësaj Byroje. Komisioni i Pavarur i Rishikimit do vëzhgojë në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të BKH, si dhe miraton materialet e trajnimit të Hetuesve dhe Drejtorit të BKH. / DITA