Fushata për zgjedhjet e pjesshme të 11 Shtatorit në Bashkinë e Dibrës është zhvendosur në Kalanë e Dodës ku kandidati i të majtës takoi zgjedhësit i shoqëruar nga deputeti Sadri Abazi dhe kordinatori socialist për Qarkun Damian Gjiknuri.
Asfaltimi i rrugës Ceren-Radomirë-Rade, ngritja e mirëmbajta e kanaleve të ujit vaditës, subvencionet për blegtorinë, krijimi i një ujëmbledhësi për ujë të pijshëm (Ploshtan, Ceren), rregullimi i rrugës së fshatit Shullan dhe promovimi i turizmit ishin disa prej angazhimeve të marra përsipër nga kandidati Muharem Rama.
“Do të ndërtojmë një baxho, do të rrisim ndjeshëm fondet për blegtorinë falë mbështetjes së qeverisë. Duke qenë se kjo është një zonë turistike që vizitohet nga turistë të huaj e vendas, ne do të bëjmë realitet rrugën e Radomirës. Këtë projekt do ta zbatojmë me prioritet të madh për ti ardhur në ndihmë zhvillimit të turizmit malor. Ne po realizojmë projektin e madh të rehabilitimit të bulevardit në Peshkopi por pavarësisht se kundërshtari thotë po i çojnë lekët në bashki, prioritet për ne do të jenë zonat rurale ku edhe përqëndrohet një pjesë e madhe e popullsisë”, deklaroi kandidati Rama.
Ndërkaq, Damian Gjiknuri theksoi se opozita e gjendur përpara faktit ku nuk ka çfarë thotë për kandidatin ka zgjedhur vetëm të shpifë. “Janë mundu me hedh edhe baltë padrejtësisht për figurën e Muharemit. Në fakt, për mua ata kanë ofenduar popullin e Dibrës kur i thonë Muharemit trafikant droge. Normalisht, ju e njihni dhe ata tregojnë se nuk kanë çfarë të thonë fare për alternativën tonë dhe vetëm shpifin. Zgjedhjen e keni shumë të pastër dhe fati e ka ndihmuar që është numri 1 në fletën e votimit. Zgjidhni 1-shin dhe jam i sigurtë se Muharemi do të jetë vërtet 1-shi dhe shërbëtori juaj deri në fund”, u shpreh Gjiknuri.
Deputeti Sadri Abazi ftoi edhe banorët e Kalasë së Dodës që të intensifikojnë punën për të nxjerrë fituese kandidaturën e Muharem Ramës.
“Partia Demokratike do të jetë për shumë vite në opozitë. Për shkak të asaj çka kanë bërë, njerëzit nuk i besojmë më atyre. Kalaja e Dodës duhet të mobilizohet në maksimum për të votuar Muharem Ramën, këtë djalë të shkëlqyer”, u shpreh deputeti Sadri Abazi.