Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të Kampingut të LRI-së në Jalë. Në aktivitetin e përvitshëm morën pjesë rreth 1500 të rinj e të reja nga e Shqipëria, të cilët për pesë ditë me radhë u angazhuan në aktivitete të ndryshme sociale, bashkëbisedime me personalitet e shumta që ishin ftuar, por edhe aktivitete argëtuese.
Në ceremoni merrnin pjesë edhe ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Mejdani, Zv.Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, drejtues të LRI-së, etj.
Gjatë fjalës së mbajtur para të rinjve, z. Ilir Meta përgëzoi lidershipin e ri të Lëvizjes Rinore për Integrim për organizimin e këtij aktiviteti dhe për vlerat që ka përcjellë te të gjithë pjesëmarrësit.
“Unë përgëzoj, në radhë të parë lidershipin e ri të Lëvizjes Rinore për Integrim që tregoi edhe një herë tjetër atë që e kemi dëgjuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët punojnë me LRI-në, që gjeneratat në LRI sa vijnë dhe bëhen më të mira. Besoj se kanë qenë 5 ditë të mrekullueshme për të gjithë ju. Kanë qenë edhe për ne. Besoj se keni mësuar shumë nga njëri-tjetri. Por jo vetëm ju nga njëri-tjetri, por të jeni të sigurt që edhe unë kam mësuar shumë nga ju dhe shpresoj që edhe gjithë drejtuesit e tjerë të LSI-së që kanë qenë këtu, të kenë mësuar nga ju”, – tha Lideri i LSI-së.
Gjithashtu, z. Ilir Meta theksoi se vendi ka nevojë për një transformim të thellë shoqëror që vjen përmes një solidariteti të ri, i cili në radhë të parë duhet të spikasë te të rinjtë dhe për të rinjtë në emër të së ardhmes së tyre dhe të gjithë vendit.
“Ne kemi nevojë për një transformim të thellë, për një progres të ri shoqëror që vjen përmes një solidariteti të ri, i cili në radhë të parë duhet të spikasë te të rinjtë dhe për të rinjtë në emër të së ardhmes së tyre dhe të gjithë vendit. Nuk mund të ketë ndryshime cilësore dhe shoqërore në një vend nga fëmijët e elitave të vetëkënaqura, të zhytura në arrogancë në egoizëm dhe individualizëm. Nuk mund të ketë shpresë një vend, në rast se nuk vihet në lëvizje ëndrra dhe aspirata e fëmijëve të familjeve më të thjeshta, për një ndryshim shoqëror, për një progres të ri shoqëror”, – u shpreh Kryetari i LSI-së, teksa nënvizoi faktin se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të kthejë pozitën gjeografiken një avantazh të fuqishëm.
“Kemi qenë viktimë e gjeografisë, por tani kemi të gjitha mundësitë që këtë pozitë që kemi ta kthejmë në një avantazh të fuqishëm për të ardhmen e vendit tonë. Besoj se jeni të ndërgjegjshëm për fuqinë që ju keni. Fuqi që vjen nga bashkimi juaj, i aftësive, i talenteve, që ju keni në emër të qëllimeve të përbashkëta”, – shtoi z. Meta.
Në fund z. Meta ftoi të rinjtë të bëhen pjesë LRI-së, që përfaqëson forcën ku ata mund të mbështeten.
“Nëse të rinjtë duan një forcë ku ata mund të mbështesin shpresat dhe ëndrrat e tyre për ndryshim, është fuqia dhe solidariteti i Lëvizjes Rinore për Integrim”, – tha z. Ilir Meta.
Ish-Presidenti i Republikës, z. Rexhep Mejdani, u shpreh se Kampingu i Jalës i organizuar nga LRI është një shkollë për të rinjtë për të mësuar që të punojnë bashkë dhe për të qenë luftëtarë për zhvillimin e Shqipërisë demokratike, për zhvillimin e ekonomisë, kulturës dhe çdo aspekt tjetër të jetës sonë.
“Natyrisht në jetën tonë ka elementë që janë individualë. Por elementi shumë i rëndësishëm për jetën e njeriut është komuniteti. Përshtatja ndaj këtij komuniteti, shoqërizimi që quhet ndryshe dhe siç e pashë sot, por njëkohësisht e pashë dhe dje, ju këtu keni ndërtuar edukatën e shoqërizimit. Të jeni bashkë, për të punuar bashkë, për të ndarë gjërat bashkë dhe në mënyrë të veçantë për të qenë luftëtarë për zhvillimin e Shqipërisë demokratike, për zhvillimin e ekonomisë, kulturës dhe çdo aspekt tjetër të jetës sonë. Dhe unë jam i bindur në atë që unë jetova dje dhe sot midis jush, unë jam i bindur që kjo shkollë, teorike dhe praktike këtu në Jalë, do të rrezatojë në të gjithë Shqipërinë. Kjo është meritë dhe e drejtuesve”, – tha z. Mejdani, ndërsa vlerësoi entuziazmin e të rinjve.
“Ju përgëzoj për një aktivitet të tillë dhe njëkohësisht përgëzoj ju të gjithë LRI-në për entuziazmin, energjinë dhe detyrën që do të merrni nga kjo shkollë për ta çuar në të gjithë Shqipërinë. Urime dhe suksese të tjera”.
Ndërsa, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, në fjalën e tij vlerësoi energjinë e të rinjve. “Është një nga hapësirat me më shumë energji në Shqipëri sot. Disa i ka lodhur vera kurse disa të tjerë vera i ka mbushur me energji fantastike dhe shpresoj do jetë ngjitëse kudo ku do ktheheni nesër. Unë besoj që ne Bashkinë e Tiranës, ndoshta jemi një nga vendet që ka aplikuar më shumë atë filozofi të Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të LSI-së, mikut tonë Ilir Metës që ka shumë më shumë gjëra, jo vetëm ne si të majtë, por ne si shqiptarë, ne si të rinj, që na bashkojnë më shumë se sa gjërat që na ndajnë”, – theksoi z. Veliaj.
Duke sjellë shembullin e Bashkisë së Tiranës, z. Veliaj theksoi se puna në grup është tejet e rëndësishme.
“Edhe një nga arsyet se pse punët shkojnë mirë në Tiranë, nuk është se kryetari punon mirë, por se ekipi ynë i përbashkët funksionon mirë. Ndaj dhe besoj që nëse shikoni me kujdes personin që keni në të majtë, dhe personin që keni në të djathtë, ju lutem kujtojini vetes një gjë: Me këta njerëz me shumë gjasë do të keni të lidhur gjithë pjesën e mbetur të jetës suaj. Ditët e mira dhe ditët e këqija, ditët e lehta, por edhe ditët e vështira. Ju uroj shumë suksese”, – tha z. Veliaj.