Përmirësohet situata e zjarreve në Shëngjin. Gjatë gjithë natës, forcat zjarrfikëse kanë qenë në terren duke punar dhe duke bërë të mundur lokalizimin e flakëve.
3 vatra që kanë qenë aktive në Shëngjin janë vënë nën kontroll gjatë orëve të mëngjesit të ditës së sotme, ndërsa në zonën e Ranës së Hedhur vatrat e zjarrit janë shuar tërësisht. Forcat zjarrfikëse të Lezhës për 3 ditë me radhë kanë qenë duke punuar për shuarjen e flakëve që përfshinë Shëngjinin, duke përparuar nga mali në drejtim të qytetit, por terreni i thyer dhe mungesa e infrastrukturës e bëri të pamundur punën e zjarrfikëseve.
Një resort u rrezikua seriozisht nga flakët dhe u desh ndërhyrja nga ajri me helikopter që të bëhej e mundur të mos kishte dëme në banesa. Era e fortë që ndryshonte shpesh drejtim favorizoi përhapjen e flakëve në të gjitha anët.
Në ndihmë të zjarfikëseve të Lezhës shkuan edhe forca zjarrfikëse nga Tirana.
Policia e Lezhës pasditen e së enjtes arrestoi edhe autorin e zjarrvënies, Preng Përgjoni, 63 vjeç. Ai e kishte vënë qëllimisht zjarrin për ripërtëritjen e kullotave.