Janë plot 15 shtete me të cilat SPAK do të lidhë kontakte dhe duke bashkëpunuar do mundet që të gjenden paratë e korrupsionit. Gjyqtarët, prokurorët dhe zyrtarët e inkriminuar, duket se nuk do të kenë shpëtim. Edhe pse u tentua të zvarritej reforma në drejtësi, ka nisur të ngushtohet laku për ata që kanë bërë afera. Në fillim të shtatorit do të miratohet ligji për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion dhe përmes saj të gjithë të dyshuarit do kalojnë në sitë.
Mirëpo një element interesant është se do të gjurmohen paratë e dërguara jashtë vendit. Gazeta Sot bën të ditur se sipas raporteve ndërkombëtare, 1,3 miliardë dollarë janë fshehur në bankat e huaja dhe për SPAK sfida më e madhe do jetë gjetja e tyre. Për këtë gjë do bashkëpunohet me agjenci homologe ligjzbatuese, teksa gazeta ka siguruar listën e shteteve të para me të cilët do ketë bashkëpunim. Sipas burimeve, SPAK fillimisht do të operojë në bazë të marrëveshjeve që shteti ynë ka aktualisht me shtetet e tjera, por që më pas ato do të ndryshojnë, ku do ketë më shumë shkëmbim informacionesh. SPAK do zhvillojë hetime për krimin e organizuar.
Misioni EURALIUS në faqen e tij zyrtare ka publikuar një listë me të gjitha shtetet që Shqipëria ka marrëveshje bashkëpunimi dhe që do të shfrytëzohen në kuadër të reformës në drejtësi. Bëhet fjalë për 15 vende, si Greqia, Italia, Gjermania, Rumania, Kroacia, etj. Me këto vende shteti ynë ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi në fushën penale dhe ka koordinim për raste të ndryshme. Por me miratimin e reformës korrespodenca do i kalojë SPAAK dhe pritet që disa marrëveshje të rishikohen, ku do forcohen një sërë elementesh, sidomos në fushën e sekuestrimit të parave të pista.
ma.me