Ministria e Shëndetësisë përgënjeshtron lajmin e publikuar nga disa portale për mbërritjen me vonesë të autoambulancës në Kamëz, ku humbi jetën në aksident një grua 65-vjeçare. Më poshtë MSh sqaron edhe nëpërmjet të dhënave të GPS se mbërriti 15 minuta pasi mori njoftimin, dhe jo 40 minuta siç raportuan disa media.
Në shkrimin me titull “Video/Aksidentohet për vdekje kalimtarja, ambulanca vonon 40 minuta për t’i dhënë ndihmën e parë,” të botuar sot (12/08/2016) në portalin informativ online tvklan.al pretendohet se autoambulancës së shërbimit të urgjencës mjekësore i janë dashur 40 minuta për të mbërritur e për t’i ardhur në ndihmë një shtetasi në zonën në dalje të urës pranë Institutit të Lartë Bujqësor në Tiranë.
E vërteta është krejt ndryshe.
Siç edhe mund të verifikohet fare lehtësisht nga dokumentacioni i shërbimit të urgjencës dhe regjistrimi elektronik nëpërmjet sistemit GPS të aktivitetit të lëvizjes në terren të autoambulancës “AA 453 BH Urgjenca e Tiranës”, thirrja për t’i ardhur në ndihmë personit në nevojë është marrë nga centrali i shërbimit të urgjencës mjekësore në orën 09:26 dhe orari i mbërritjes së autoambulancës te vendodhja e personit në nevojë shënon kohën 09:41.
Pra, siç mund të shihet qartësisht, autoambulancës i janë dashur vetëm 15 minuta, dhe jo 40 minuta apo më tepër, siç pretendohet në shkrimin e sipërpërmendur, për të mbërritur në vendodhjen e personit në nevojë pas marrjes së thirrjes.
Bashkëlidhur njoftimit, do të mund të gjeni kopje elektronike të praktikës së gjurmimit me sistemin GPS të instaluar brenda autoambulancës për rastin në fjalë.