Nga Dorian Koçi
Ditën e premte në darkë hyn heshtja elektorale. Qytetarët shqiptarë do të kenë ende një ditë kohë për të menduar për të zgjedhur alternativat më të mia qeverisëse.Karburanti i çdo fushate lektorale, sigurisht janë premtimet, ndaj ato janë derdhur lumë për të skicuar të ardhmen. Sigurisht që është vështirë të përzgjedhësh mes tyre për të projektuar të ardhmen dhe akoma më tepër vështirë të bësh të mundur që t’i lidhësh ato me të tashmen. Por edhe pse kjo gjë mund të duket e vështirë për tu arritur, gjithsesi duke treguar një kujdes për trashëgiminë kulturore, përmirësuar mjedisin e klimën e biznesit dhe rritur punësimin mund të bashkosh vizionin për të ardhmen në një alternativë gjithpërfshirëse për të gjithë.
Këtë gjë mesa duket janë përpjekur që t’ia arrijnë dhe kandidatët për tu zgjedhur kryetarë bashkie , kur kanë hartuar programet e tyre elektorale. Një fillim i mbarë ishte ndjesia e parë që kandidatët nuk deshironin që të kryenin një fushatë negativiste kundrejt njëri-tjetrit, por sa më tepër vazhdoi fushata u pa që kjo përzgjedhje ishte më tepër një përqasje e imponuar nga lart sesa një bindje e brendshme. Edhe pse nuk ka pasur eksese të gjuhës së dhunshme apo incidente e përplasje fizike serioze, sërish mund të themi se kjo fushatë kaloi relativisht e qetë pasi deri në momentin e fundit ende po veprojnë vidiopërgjimet dhe përbaltja e kandidatëve në momentin e fundit. Kandidatët për kryetarë bashkie të ndarë në dy kualicione përfaqësojnë në thelb edhe dy filozofi të ndryshme vizioni dhe drejtimi. Pavarësisht se programet elektorale mund të duken se ngjajnë si dy pika uji për nga struktura, sërish ato paraqesin ndryshime të qenësishme për nga përmbajtja.
Ashtu si pranohet gjerësisht, për të ndërmarrë një punë të mirë, siç është qeverisja e një qyteti në fillim është vizioni se çfarë dëshiron që të realizosh dhe pastaj është misioni sesi mundohesh të bësh realitet atë dëshiron për vete dhe për qytetarët e tu. Në programin elektoral të së djathtës, nuk mungon vizioni por ai errësohet nga ambicia për t’i kthyer zgjedhjet lokale në një test për zgjedhjet e përgjithshme dhe karriere për z Basha brenda Partisë Demokratike, ndërsa në programin e e së majtës ky vizion shprehet më qartë ku përcaktohen prioritetet dhe shërbimet për bashkitë e reja që tashmë do të përfshijnë brenda tyre njësi më të mëdha administrimi. Po kështu programi i së majtës i adresohet më tepër qytetarit kur përcakton prioritetet për rilindjen urbane të bashkive me investime të drejtë për së drejta nga qeveria qendrore në qendrat historike dhe të kulturës , proces prej nga fillon dhe rivlerësimi i pronave të paluajtshme dhe rritja e turizmit kulturor në bashkitë tona, të cilat do të pajisen me infrastrukturë moderne shërbimi për qytetarët. Si mund të shikohet në vizionin e së majtës është shprehur më mirë gama e problemeve që shqetësojnë qytetarin, ndërsa programi i së djathtës, duke se është hartuar në eufori e sipër për të shndrruar zgjedhjet lokale në një arenë për të zgjidhur meraqet e politikës së ditës.
Në disa vite vite qeverisje të pushtetit lokal e majta ka krijuar një model të qendrueshëm si është modeli i qeverisjes së Tiranës nga z Rama, kryeminisri i tanishëm , model që është zbatuar dhe ndjekur nga pothuajse të gjitha bashkitë e majta , çka në fakt ka dhënë rezultate të njohura dhe përmirësim jetese për qytetarët. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të shndrrimeve që kanë pësuar bashkitë në mirëqeverisje si Korça, Elbasani, Fieri dhe Durrësi duke i shndrruar në qendra urbane të afta për të thithur investime dhe për të zhvilluar një jetë më cilësore për qytetarët , ku nuk ka munguar dhe komponenti i kulturës dhe ambientit. Sigurisht, që ka vend për përmirësim ndaj dhe në qytete të ndryshme janë paraqitur kandidatura të reja që gëzojnë një reputacion dhe mbështetje të plotë për të realizuar ndryshimet e duhura, si në Vlorë z Dritan Leli apo në Gjirokastër Znj Zamira Rami.
Maxhoranca dhe qeveria ka kohë që ka ndërmarë një program ambicioz për ndërtimin e shtetit dhe kalimin e tij nga një gjendje informaliteti në një shtet modern. Kjo reformë ka një shtrirje shumë të gjerë duke nisur nga legalizimet, për të ditur sa prona shteti zotëron vetë po aq sa kanë prona qytetarët e tij, reforma në sistemin energjitik që bëri të mundur që për herë të parë kompania shpërndarëse të dal me bilanc pozitiv, çka do të thotë më tepër investime të kësaj kompanie për përmirësimin e cilësisë së shërbimit, reforma arsimore që synon përmirësimin e jetës akademike, reforma e pensioneve që po shpëton skemën e sigurimeve nga një kolaps i madh total, etj. Sigurisht që të gjitha këto reforma kanë pasur dhe efektin e tyre të dhimbshëm por besoj se sot nuk ka shqiptar që nuk shikon në efektet e tyre pozitive rimëkëmbjen e shtetit. Të zgjedhurit e rinj lokalë me kopetencat shumë më të mëdha se paraardhësit e tyre, do të bëjnë të mundur që efektin pozitiv të këtyre reformave ta shtrijnë më vertikalisht për të arritur përmirësimin e cilësisë së jetesës, punësim dhe mirëqenie.
Fushatat elektorale, zakonisht në këto njëzet e pesë vjet janë kryer, nën frymën agresive të mohimit të tjetrit e shprehur me shprehjen “Poshtë kundërshtari” dhe mobilizimit të masave që i votonin kandidatët përkatës. Shqipëria e vitit 2015 është ndryshe nga vitet që kemi lënë pas dhe kjo fushatë e pasqyron më mirë këtë mentalitet. Shqiptarët tashmë janë qytetarë të një vendi kandidat të Bashkimit Europian, ndaj duhet të kapërcejnë veteveten dhe të arrijnë të realizojnë me vlerësimin e platformave elektorale duke zgjedhur mes tyre më të mirën dhe atë që i përmirëson më shumë jetesën atyre. Nga ky lloj votimi me arsye, sigurisht që lind dhe e drejta që katër vjet më vonë të kërkosh llogari për ato çka nuk janë bërë dhe duke mos u besuar më atyre që si mbajtën premtimet dhe duke vlerësuar sërish alternativë më të mirë për një jetë më të mirë.