Nga Skënder Minxhozi/
Bujar Nishani ka dalë para shqiptarëve për mesazhin e fundit para zgjedhjeve. Një ritual që e ka bërë në fakt edhe më parë, shumë para se të afrohej 21 qershori. Ka qenë 25 maji, pra tre javë më parë, kur ai, në një moment krejt të pakuptueshëm, doli sërish në publik me një apel që asokohe habiti të madhe të vogël. Duke u justifikuar me dëshirën për të folur në fillim të fushatës, një precedent i stisur dhe artificial, Bujar Nishani apelonte “Mos e shisni votën! Vota nuk ka çmim. Shitja e votës është turpi dhe tmerri më i papërfytyrueshëm që na njollos të gjithëve njëlloj. Kandidati që jua blen votën, nuk ju respekton, vetëm ju gënjen, vetëm ju përbuz, vetëm ju urren. Fenomeni i shëmtuar dhe i padenjë i shitblerjes së votës ka ndodhur në disa nga zgjedhjet e kaluara.
Është e mundur të ankoheni për atë që keni zgjedhur normalisht, por që nuk e ka përligjur atë besim të dhënë. Por të korrektoni sadopak dikë, të cilit votën ia keni shitur, është e pamundur.
Vota nuk merret në këmbim të asnjë favori. Vota vetëm meritohet. Denoncojini përpjekjet për blerjen e votës! Mos u bëni viktima të kësaj dukurie katastrofike, të këtij gabimi fatal, pasojat shkatërrimtare të të cilit vuhen gjatë”.
E cituam të gjithë paragrafin, për të sjellë në vëmendje se cili qe në fakt qëllimi i kreut të shtetit, në daljen e tij të parë publike. Një shërbesë e rradhës për partinë e tij. Ashtu siç qe një shërbesë e fundit, edhe dalja e para pak minutave, kur ai sërish bëri sikur po përmbushte një detyrim protokollar, në fakt ai paketoi keq në mesazhin e tij apelin e rradhës në formë akuze, për qeverisësit e vendit.
Bujar Nishani po investohet në mënyrë krejt të sforcuar dhe duke shpërfillur pozitën institucionale të distancuar nga zgjedhjet dhe fushata, për të mbështetur kauzën e opozitës për blerjen e zgjedhjeve nga Rama dhe Meta. Në mënyrë tinzare ai po kërkon që në sytë e ndërkombëtare të mbetet e regjistruar se edhe kreu i shtetit ndan mendimin se zgjedhjet janë të pavlefshme, se rezultati i tyre është i dëmtuar. Përdorim të tillë të postit për arsye politike meskine, zor se gjen.
Ministër i brendshëm i vendit në zgjedhjet e vitit 2011, ai bën sikur nuk e mban mend se çfarë masakre elektorale është kryer në Tiranë në duelin Rama-Basha për bashkinë. Bën sikur nuk kujton lojrat me listat, paratë e dhëna nëpër Tiranë, dhunën e shtetit dhe të policisë kundër opozitës etj. Kurse sot, nga karrigia e lartë ku e kanë ulur, ai po bën shërbesën e fundit.