Partia Demokratike ka përmbyllur fushatën elektorale në bashkinë e Kamzës. Në fjalën e tij kryetari i PD Lulzmi Basha u kërkoi qytetarëve që të votojnë kandidatin e djathtë Xhelal Mziu, siç tha ai për t’i dhënë zonës më shumë punë dhe dinjitet në të ardhmen.
Basha akuzoi qeverinë si përgjegjëse për gjendjen e varfëruar të shqiptarëve, duke shtuar se përgjigjen më të mirë qytetarët do të ua japin këtë të dielë kur të shkojnë dhe të votojnë.
“Qeveria nuk sillet siç duhet të sillet me qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit. Kjo qeveri erdhi para dy vitesh me premtime të mëdha, por jeta e shqiptarëve sot është edhe më e vështirë. Qytetarët nuk paguajnë më pak taksa, nuk kanë më shumë vende pune dhe paguajnë më shumë energjinë elektrike. Ky është realiteti”, tha Basha, i cili shtoi se ndryshe nga mazhoranca, oferta e opozitës është ajo e taksave më të ulëta në Ballkan.
Më tej, Basha sulmoi edhe kandidatin e ASHE-së për Kamzën, Safet Gjicin, duke e clësuar një xhandar.
“Oligarkia nuk e merr mundimin të flasë për problemet tuaja. Ata njohin vetëm kërbaçin si drejtimin e duhur. Në Kamëz ju kanë sjellë një xhandar, ku të mos keni ku të qaheni. Ky është projekti i Rama-Metës me Safet Gjicin, por Kamza nuk do e lejojë përdhosjen dhe shkeljen e dinjitetit”, tha Basha.