Në një kohë kur numri i blerjeve online nga shqiptarët është rritur ndjeshëm, qeveria ka ulur kufirin e blerjeve online.
E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në “News24”, zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj ka treguar detaje se si do të funksionojë skema e re dhe se si do të aplikohet nga blerësit shqiptarë. Ajo pohoi se qytetarët që do të bëjnë një blerje mbi 22 euro do të paguajnë detyrimet doganore. Ndër të tjera Beqiraj theksoi se ato produkte që përjashtohen nga TVSH-ja, nuk do të paguajnë këtë taksë.
“Të ardhurat do kalojnë për llogari të Doganës, ndërsa Posta Shqiptare do ofrojë procedura të thjeshtuara. Individët do njoftohen në cilën zyrë do drejtohen.”, tha Beqiraj. Zëvendësministrja tha se kufiri i aplikueshëm nga vendet e Bashkimit Europian, varion nga 10-22 euro. Ndërsa sipas saj të gjitha vendet e rajonit e kanë kufirin 22 euro.
“Blerjet online zënë një vend të rëndësishëm në konsumin e shqiptarëve. Kjo kërkesë erdhi nga shoqata e tregtarëve për uljen e kufirit. Nuk kemi bërë asgjë që ka kaluar direktivën. Nëse blini brenda Komunitetit europian nuk ka taksë doganore. Nëse blini në Kinë, duhet të paguani taksë doganore”, theksoi ajo.