Interesi i sektorit privat për hidrocentralet vendore vijoi të rritet edhe gjatë vitit 2014, pasi pranë ERE-s 64 subjekte paraqitën aplikime të ndryshme në aktivitetet e sektorit të energjisë elektrike, nga 57 që ishin gjatë vitit 2013.
Për 42 aplikime për licensim Bordi i Komisionerëve vendosi miratimin, ndërsa 22 aplikime të tjera janë në proces dhe do finalizohen gjatë vitit 2015 në përputhje me afatet dhe procedurat e ERE-s.
Vitin e kaluar prodhimi i përgjithshëm i energjisë elektrike nga hidrocentralet vendore privatë arriti në 19.45% të prodhimit të përgjithshëm neto vendas. Nga 98 HEC-e private që prodhuan energji elektrike, 93 prej tyre kishin kontrata shitje me KESH, të tjerët punuan si prodhues i shkëputur nga prodhimi publik, ose prodhuan energji për nevojat e veta dhe tregtim.
Që prej vitit 2008, prodhimi i energjisë elektrike të prodhuar nga HEC-et vendore ka ardhur në rritje të përvitshme, më të spikatur nga viti 2013, kur ato e rritën 2.5 herë më shumë prodhimin nga 2012-ta.