“Tash e tutje Kosova do të ketë vetëm një kod. Të gjitha kodet ekzistuese 381, 377, 386 do të kalojnë në kodin 383. Do të shuhen të gjithë operatorët ilegal të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999”.
Kështu thuhet në marrëveshjen e arritur në Bruksel për telekomunikacionin mes Kosovës dhe Serbisë, një vit më parë.
Që atëherë Kosova as nuk ka kod të vetin e as nuk janë shuar operatorët ilegal, shkruan Gazeta Fjala. Madje këta të fundit vetëm sa kanë zgjeruar shtrirjen në shtetin më të ri në Evropë.
Nga Serbia deri në qytetin e Vushtrrisë mbërrijnë sinjali i kompanisë “VIP mobile” me numrat 061. Ndërsa me numrat e operatorëve MTS, 064 dhe 065 dhe të Telenorit, të cilët nuk figurojnë askund në listat e të lejuarve për operim në territorin e Kosovës, shërbehen dhjetëra mijëra qytetarë në veri.
Të gjithë këto, sipas kryeministrit të vendit, të cilit pretendohet se i është shkelur sovraniteti, Isa Mustafa, i kushtojnë Kosovës 200 milionë euro.
Këto humbje nuk u arrit të ndërpriten as javën e kaluar, pas 20 orë bisedimesh mes palës serbe dhe kosovare, për zbatimin e marrëveshjes.
“Edhe përkundër angazhimeve të delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të BE-së që kjo çështje të përmbyllet përfundimisht në këtë takim dhe edhe përkundër përparimeve të mëdha të arritur në dy takimet e fundit për këtë çështje, pala serbe nuk pati gatishmëri për të rrumbullakuar këtë proces”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Në këtë takim, thuhet se ka pasur përparime për mbylljen e çështjeve të hapura të karakterit teknik, mirëpo pala serbe, siç thuhet më tej, kishte tendenca të rihapjes së marrëveshjes për telekomin, të cilën delegacioni i Kosovës e kundërshtoi kategorikisht.
Serbia përgjon thirrjet e kosovarëve
Serbia pretendon se me tu pajisur Kosova me kodin 383 atëherë do të mundësohet që të përgjoj qytetarët serb që jetojnë në këtë shtet. Kjo edhe ka qenë një nga pikat kryesore të kundërshtimit të marrëveshjes.
“Përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës në raundin e fundit të bisedimeve në Bruksel nuk patën sukses t’i afrohen sistemit “Telekom Srbija”, ç’ ka do t’iu mundësonte përgjimin e qytetarëve në të gjithë Serbinë”, ka thënë drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç për TV Most të Zveçanit.
Kjo deklaratë e tij është komentuar se Serbia aktualisht ka mundësi t’i përgjojë të gjitha bisedat e qytetarëve të Kosovës.
Sipas tij, ka edhe një arsye tjetër përse nuk po e lejojnë Kosovën ta ket kodin e vet.
“Shqiptarët deshën të bënin precedent dhe diçka të ngjashme pastaj të kopjonin për Trepçën, Brezovicën dhe për të mirat tjera serbe që duan t’i përvetësojnë”, ka thënë Gjuriç, transmeton Gazeta Fjala.
Në bazë të marrëveshjes së arritur më 25 gusht të vitit të kaluar Austria do të aplikoj në emër të Kosovës për të kërkuar që ITU t’ia ndaj kodin telefonik Kosovës. Këtë shteti austriak veç e ka bërë në janar të këtij viti.
Por, derisa palët të pajtohen për zbatimin e marrëveshjes, operatorët e licencuar në Kosovë do të vazhdojnë të përdorin kode të huaja.
Telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin (+381) të Serbisë e për të cilat Kosova duhet të paguaj kosto të lartë të shpenzimeve, shkruan Gazeta Fjala. (b.an)