Mediat turke kanë publikuar detaje tronditëse nga masakra në Gazientep, ku një fëmijë kamikaz shpërtheu në dasmën e një anëtari të partisë filokurde Hdp, duke shkaktuar 54 viktima. Sipas CCN turk, nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi sulmi, është vënë re se 12-vjeçarin që shpërtheu, e sollën në dasmë dy të rritur, të cilët u larguan me shpejtësi. Sipas hetuesve, dyshohet se fëmija nuk e ka aktivizuar vetë eksplozivin, por dikush tjetër ka patur telekomandën e bombës, të cilën e aktivizoi në distancë.
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, kamikazi mund të ketë hyrë në Turqi nga Siria, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë lidhje me ndonjë celulë terroriste që mund të jetë ngritur në Turqi. Bomba që është përdorur, e përbërë me copa metali, është e ngjashme me bombat që kanë shpërthyer në qytetin Suruc dhe në Ankara vitin e kaluar, përgjegjësinë për të cilat e ka marrë Shteti Islamik.
Ndërkohë autoritetet turke kanë bërë të ditur se mes 54 viktimave, 29 janë fëmijë dhe adoleshentë. 66 persona janë plagosur dhe ndodhen në spital, nga të cilët 14 janë në gjendje shumë të rëndë.
ma.me