Krimi makabër i Jorgos Zanit në Palasë duket se ka qenë edhe zgjidhja për jetën e një të mituri, Kiços 9-vjeçar, po nga ky fshat. Ditën e krimit, nga fshati i tronditur mbërritën lajme për zhdukjen e një tjetër fëmije, që shoqërohej me vrasësin e sëmurë. Por, Kiço nuk kishte pësuar gjë. Në fakt, deri ditën e krimit, shqetësimi më i madh për Palasën kishte qenë pikërisht Kiço dhe jo vrasësi i sëmurë.
Një denoncim në Top Channel, në mes të muajit qershor, zbuloi historinë e një fëmije, të cilin jeta, familja dhe mungesa e vëmendjes së shtetit e kishin futur në rrugën e krimit që në këtë moshë.
“Është bërë problem serioz. E kemi ngritur shqetësimin tonë në të gjitha instancat, por është djalë i pandreqshëm”, thonin banorët.
Kiço, siç e thërrasin shkurt, duket si një djalosh çapkën, por në fakt ishte bërë “ferri” i fshatit, duke vjedhur e dëmtuar çdo gjë që gjen nëpër shtëpitë e fshatit, që jo pak herë gjenden të vetme. Nuk bën dallime në ato që merr.
“Gjërat që marr, i shes”, thonte Kiço për emisionin “Fiks Fare”.
Me dy prindër me probleme mendore, ai ishte braktisur nga komuniteti dhe institucionet shtetërore, e mbi të gjitha nga shkolla: “Nuk më kanë çuar në shkollë. Nuk më duan dhe më thonë që jam hajdut”.
Nëpunësja e Bashkisë se Himarës tregon se ka bërë të gjitha përpjekjet për ta shkëputur Kiçon nga prindërit me të meta mendore dhe jeta e mjeruar ku mungon edhe uji e energjia: “Kemi hapur proces gjyqësor në Vlorë dhe asgjë. Duam që kujdestaria e këtij fëmije t’i shkojë institucioneve publike”.
Muajt e fundit Kiço ishte shndërruar në një ndihmës pikërisht i vrasësit mizor, Jorgos Zanit. Por krimi makabër i këtij të fundit duket se bëri që më në fund shteti të detyrohet ta dërgojë Kiçon 9-vjeçar në një nga institucionet e shërbimit social në Sarandë.
Dhe kjo ka ndodhur vetëm të premten e 19 gushtit./tch/a.k